MENU
klinika

Sulmi në Veri të Kosovës

Vuçiç e pranon: Radoiçiç gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje

27.09.2023 - 22:59

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.

“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se Radoiçiqi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.

Kosova ka akuzuar Radoiçiçin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.

“Millan Radoiçiç kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij… në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai.

“Ai e konsideron veten luftëtar të lirisë, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga shokët e tij dhe kurrë nuk do ta bëjë, por ka gjëra dhe pyetje që ai duhet t’iu përgjigjet”, tha presidenti serb.

Për pjesëmarrjen e pretenduar të Radoiçiçit në sulmin ndaj Policisë – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

I pyetur për vërtetësinë e videos dhe nëse Radoiçiç ishte në Banjskë, Vuçiç tha se kjo do të përcaktohet nga autoritetet kompetente.

Kur u pyet për qëllimin e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, Vuçiç tha:

“Si mund ta di këtë, por jam i sigurt se ata shkuan të ruanin shtëpitë e tyre dhe u përgatitën për sulme në të ardhmen”./VOA