MENU
klinika

Analiza

A synon Gjermania të rrëzojë Melonin?

06.10.2023 - 09:30

A ka vërtet një komplot për të rrëzuar Xhorxhia Melonin nga posti i kryeministres së Italisë për ta zëvendësuar atë me dikë që i përshtatet më shumë shijes të së majtës progresiste? Në mediat evropiane kanë qarkulluar javët e fundit zëra se qeveria e Melonit po lëkundet dhe se ajo “mund të bjerë së shpejti për t’i hapur rrugë një qeverie teknokratësh”.

Në vitin 2011, Mario Monti formoi një qeveri të tillë pas dorëheqjes së Silvio Berluskonit. Monti e mbushi kabinetin e tij me teknokratë të pazgjedhur nga qytetarët, duke bërë që Berluskoni ta akuzonte atë për “miratimin e rregullave të kursimit të propozuara nga Gjermania”.

Ish-komisioneri evropian qëndroi pak më shumë se 1 vit në detyrë, përpara se të jepte dorëheqjen. Një dekadë pasi Monti u katapultua për t`u vendosur në krye të qeverisë italiane, një tjetër teknokrat i preferuar në Bruksel u thirr në ndihmë për ta shpëtuar Italinë nga demokracia. Këtë herë fjala ishte për ekonomistin e njohur Mario Dragi, president i Bankës Qendrore Evropiane gjatë viteve 2011-2019. Ai u largua pas 18 muajsh në detyrë. Meloni ishte agresive gjatë një interviste dhënë fundjavën e kaluar kur u pyet mbi qëndrueshmërinë e e qeverisë së saj.

Ajo premtoi se “ajo nuk do të bjerë për shkak të ndonjë komploti”. “Ajo që u ndodhi të tjerëve para meje nuk do të ndodhë me mua”, – theksoi Meloni. Zërat mbi një rrëzim të afërt të Melonit kanë bërë xhiron e mediave italiane të krahut të majtë prej disa javësh, duke u intensifikuar edhe më shumë që prej fluksit të 11.000 emigrantëve që zbarkuan muajin e kaluar në ishullin mesdhetar të Lampeduzës.

Ajo u kundërpërgjigj, duke deklaruar se “e majta mund të vazhdojë të bëjë listën e ministrave të qeverisë teknike, ndërkohë që ne do të vazhdojmë të qeverisim”. Përveç dështimit të saj për të frenuar vërshimin e emigrantëve në Itali, qeveria e Melonit po has vështirësi edhe në menaxhimin e situatës ekonomike.

PBB-ja e Italisë ra me 0.4 për qind në 3-mujorin e dytë, ndërsa sektori i prodhimit u tkurr në gusht për të pestin muaj radhazi. Ministrat e Melonit e kanë akuzuar Bankën Qendrore Evropiane se me rritjen e madhe të normave të interesit po e shtyn eurozonën drejt recesionit ekonomik. 

A synon Gjermania të rrëzojë Xhorxhia Melonin?

Disa figura brenda qeverisë së Melonit, po pyesin nëse kjo nuk është pjesë e një komploti për të destabilizuar kryeministren. “Ata po i urojnë të keqen Italisë duke shpresuar të marrin njëfarë pushteti për veten e tyre. Shumë prej tyre po kërkojnë një rritje të përhapjes ose një rënie nga agjencitë e vlerësimit, në mënyrë që ato të vënë në dyshim qeverinë dhe të shtrembërojnë sërish vullnetin e qytetarëve”- shkroi në “Twitter” Ministri i Mbrojtjes Guido Kroseto.

Në një postim tjetër gjatë fundjavës, Kroseto akuzoi të majtën në Itali për përhapjen e dezinformatave rreth qeverisë “për të provuar se në Itali janë në pushtet ‘fashistët’ e rrezikshëm”. Kjo ka qenë strategjia e tyre që nga momenti kur Meloni u zgjodh kryeministre në shtator të vitit të kaluar.

Progresistët kanë bërë gjithçka për ta dëmtuar Melonin që nga dita e saj e parë në pushtet, jo vetëm në Itali, por në mbarë Evropën. “Ne në Evropë kemi disa vlera dhe padyshim do të jemi vigjilentë”- tha kryeministrja franceze Elisabet Borne pas fitores së Melonit.

Por deri tani Meloni nuk ka rezultuar të jetë një Musolini e trukuar. Madje për disa nga e djathta italiane, ajo është treguar shumë liberale. Thuhet se zëvendëskryeministri i saj dhe një partner në koalicionin qeverisës, Mateo Salvini, është i zhgënjyer nga dështimi i saj për të trajtuar më me vendosmëri krizën e emigrantëve.

Meloni thotë se po bën më të mirën, por po sabotohet nga armiqtë e saj në Itali dhe gjetkë. Në korrik të këtij viti, Meloni dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen, nënshkruan një marrëveshje prej 860 milionë paund me Tunizinë për të ndalur migracionin e paligjshëm në të gjithë Mesdheun.

Ajo u përshëndet si një marrëveshje që do të frenonte numrin e emigrantëve që mbërrinin në Itali, por edhe që do të shkatërronte biznesin e kontrabandistëve, që në gjysmën e parë të këtij viti u dha mundësi të fitojnë rreth 760 milionë paund.

E majta u tërbua. Eli Shlein, liderja zvicerane dhe gjysmë-amerikane e Partisë Demokratike të Italisë, tha se pakti ishte “një përpjekje tjetër për të deleguar kontrollin kufitar pa marrë parasysh respektin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”. Po aq i indinjuar ishte edhe krye-diplomati i BE-së përgjegjës për punët e jashtme, Josep Borrell, një ish-ministër socialist në Spanjë, që i tha Von Der Lejen se “nuk e kuptonte” dobinë e kësaj marrëveshje.

Olaf Scholz bei Meloni: Warum der Kanzler die Rechtspopulistin umgarnt | STERN.de

Gjermania dhe Luksemburgu, ishin kundërshtarët më të zëshëm të marrëveshjes midis 27 vendeve anëtare, edhe pse armiqësia e Berlinit mund të lindë nga një konflikt interesi. Javën e kaluar Meloni i shkroi një letër me tone të ashpra kancelarit Olaf Sholc, në të cilën ajo shprehu “habinë” e saj sesi Ministria e Jashtme gjermane kishte kontribuar së fundmi me 790.000 euro për anijet gjermane të OJQ-ve që mbledhin emigrantët në brigjet e Afrikës së Veriut dhe i dërgojnë në brigjet italiane.

Prej disa vitesh ka pasur pretendime se këto anije po punojnë me trafikantët, të cilët Papa i cilësoi së fundmi si “mizorë”. Muajin e kaluar Gjermania e informoi Italinë se nuk do të pranojë më emigrantë nën një pakt solidariteti vullnetar, kjo deri në një njoftim të dytë. Edhe Franca është zotuar se asnjë nga 11.000 emigrantët që zbarkuan në Lampedusa javën e kaluar nuk do të kalojë kufijtë e saj.

Gjermania dhe Italia u përplasën sërish javën e kaluar, ndërsa shtetet anëtare të BE-së dështuan të arrinin një konsensus të ri mbi menaxhimin e flukseve emigratore. Të Gjelbrit gjermanë kërkuan që teksti i marrëveshjes përfundimtare “të ofrojë garanci më të forta për zbatimin e të drejtave të njeriut për emigrantët”. Italia refuzoi ta pranojë këtë  formulim, por shpresohet se mund të arrihet një marrëveshje në ditët në vijim.

Ndërkohë, Elon Musk qarkulloi një video në Twitter që kritikonte anijet e OJQ-ve gjermane, të cilat po shpëtojnë emigrantë që udhëtojnë përmes Mesdheut dhe i çojnë ato në Itali. “A është në dijeni publiku gjerman për këtë?”- pyeti Musk. “Po, dhe quhet shpëtim i jetëve njerëzore”- iu përgjigj qeveria gjermane.

Guximi i Gjermanisë të lë pa frymë. Vendi është përshkruar kohët e fundit si “E sëmura e Evropës” për shkak të ekonomisë të saj në krizë. Por është edhe vendi më hipokrit i Evropës, dhe nëse Meloni do të binte, asnjë vend nuk do të kishte komplotuar më shumë për rrëzimin e saj sesa Gjermania.

Nga Gavin Mortimer “The Spectator”