MENU
klinika

Si Putin po kërkon të “pushtojë” Kongresin amerikan

Agjentët rusë 007 do të futen në “zemër të SHBA”

05.10.2023 - 08:30

Vladimir Putin synon të fitojë luftën në Ukrainë duke i dhënë fund mbështetjes amerikane dhe evropiane për Kievin. Për ta bërë këtë, Moska punëson agjencitë e saj të inteligjencës për të përhapur propagandë në favor të partive pro-ruse dhe duke ushqyer teoritë e konspiracionit me përdorimin e teknologjive të reja. Kështu thonë zyrtarët e administratës amerikane të cituar nga “New York Times”, duke raportuar se dezinformimi rus synon të mbështesë kandidatët politikë që kundërshtojnë ndihmën për Ukrainën, me qëllimin përfundimtar për t’i dhënë fund mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar për Kievin. Sipas zyrtarëve të administratës, të cilët dëshironin të mbeteshin anonimë, Putin beson se ai mund të ndikojë në politikën e SHBA për të dobësuar mbështetjen e Kongresit për Ukrainën. Putin, thanë zyrtarët, duket se po vëzhgon nga afër debatet politike të SHBA-së mbi ndihmën ndaj Ukrainës. Opozita republikane i detyroi liderët e Kongresit të miratojnë një projekt-ligj për të ndaluar dërgimin e më shumë parave në Kiev. Moska gjithashtu ka të ngjarë të përpiqet të nxisë kandidatët pro-rusë në Evropë, duke parë terren të mundshëm pjellor me rezultatet e fundit. Një kandidat pro-rus fitoi zgjedhjet parlamentare të Sllovakisë të dielën. Përveç zgjedhjeve kombëtare, Rusia mund të kërkojë të ndikojë në votimin e parlamentit evropian vitin e ardhshëm, thanë zyrtarët.Rusia ka përdorur prej kohësh shërbimet e saj të inteligjencës për të ndikuar në politikat demokratike në mbarë botën.

Zgjedhjet në SHBA

Vlerësimet e inteligjencës amerikane në 2017 dhe 2021 arritën në përfundimin se Rusia ishte përpjekur të ndikonte në zgjedhje në favor të Donald J. Trump. Në vitin 2016, Rusia hakoi dhe zbuloi emailet e Komitetit Kombëtar Demokratik që dëmtuan fushatën e Hillary Clinton dhe nxitën mesazhe përçarëse në mediat sociale. Në vitin 2020, Rusia u përpoq të përhapte informacione që denigronin Joseph R. Biden Jr. Për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, agjencitë amerikane të inteligjencës besojnë se aksionet për Putin janë edhe më të larta. Presidenti Biden ka dërguar miliarda dollarë ndihma në Ukrainë dhe është zotuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të mbështesin Kievin “për aq kohë sa duhet”. Trump, shumë përpara në sondazhet për nominimin republikan, ka thënë se mbështetja e Ukrainës nuk është një interes jetik i SHBA-së.

Agjentët 007

Rusia, sipas zyrtarëve amerikanë, po kryen vazhdimisht operacione informacioni që synojnë denigrimin e politikave të NATO-s dhe SHBA-së dhe ka të ngjarë të rrisë përpjekjet në muajt në vijim. Zyrtarët amerikanë folën me kushtin që emrat e tyre të mos raportohen, në mënyrë që të diskutojnë për inteligjencën e ndjeshme.Qëllimi përfundimtar i Rusisë do të ishte të ndihmojë në minimin e kandidatëve që mbështesin Ukrainën dhe të ndryshojë politikën e SHBA. Disa zyrtarë amerikanë dyshojnë se Rusia do të jetë në gjendje ta bëjë këtë.Me pak fjalë, agjentë 007 dhe propagandë për të ndërhyrë në politikën amerikane. Ndërkohë, në Rusi, strategjia e “agjentit të huaj” për të manipuluar opinionin publik dhe për të krijuar konsensus rreth luftës në Ukrainë duket se po jep rezultate. Ministria britanike e Mbrojtjes e shkruan këtë në përditësimin e zakonshëm të inteligjencës të publikuar për agjentët e huaj.

Synimet e Putin

Sipas Vtsiom, 61% e njerëzve të përfshirë në sondazh i konsiderojnë agjentët e huaj si tradhtarë që përhapin gënjeshtra për Rusinë. Pas pushtimit të Ukrainës, kujtojnë 007-at britanike, “Rusia ka zgjeruar legjislacionin e saj për agjentët e huaj”. Këto masa, vazhdon raporti, “kufizojnë ndjeshëm hapësirën e informacionit brenda Rusisë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë mospajtimin lidhur me luftën, që devijon nga vija zyrtare.” Siç argumentohet shpesh nga analistë të shumtë që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, konflikti është gjithashtu një luftë informacioni dhe propagande. Putini nga njëra anë dëshiron ta ketë mbështetjen e popullit. Nga ana tjetër përpiqet të krijojë “çarje” në mbështetjen perëndimore për Volodymyr Zelensky.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN