Serbia po forcon forcat e armatosura me pajisje ushtarake nga Kina, veçanërisht sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dronë.
Zv. kryeministri Milosh Vuçeviç, i cili është njëkohësisht edhe ministër i Mbrojtjes i Serbisë, në një intervistë për mediat pohoi se përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, veçon bashkëpunimin ushtarak më së pari dhe atë ekonomik si dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin.
Vuçeviç tha se përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura kanë për qëllim mbrojtjen.
Presidenti i Kinës Xi Jinping, bëri thirrje për një bashkërendim më të fortë strategjik me “mikun e çeliktë” Serbinë, kur takoi presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje ndaj Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.
Vuçeviç tregoi se sistemi i raketave kundërajrore kineze me rreze të mesme veprimi FK-3 dhe avionët pa pilote, janë “pa dyshim” ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte marrë vendi ndonjëherë.
Ky përforcim i ushtrisë së saj vjen në një kohë tensionesh të larta me Kosovën, situatën me të cilën si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia, e cila tradicionalisht mbështet Serbinë, po e vëzhgojnë me kujdes.