MENU
klinika

“Arrestimi erdhi si rezultat i presionit”

Avokati i Radoiçiç: Nuk ka asnjë provë që Milan është i përfshirë në sulmin në Veri

03.10.2023 - 19:37

Avokati Goran Petronijeviç, përfaqësuesi ligjor i Milan Radoiçiçit, ka konfirmuar për gazetarët para Pallatit të Drejtësisë se policia e ka sjellë Radoiçiçin në Prokurorinë e Lartë Publike pas kontrollit të banesës në Beograd.

Sipas avokatit gjatë kontrollit në banesë nuk është gjetur asgjë e rëndësishme, teksa shtoi se Radoiçiçit i është sekuestruar arma të cilën e kishte me leje të posaçme.

Ai deklaroi se nisja e procedurave ligjore ndaj Radoiçiç ka ardhur si rezultat i presionit perëndimor dhe jo si shkak përgjegjësi penalo-ligjore. Petronijeviç tha se Prokuroria ia ka transferuar çështjen gjykatësit për nisjen e procedurave paraprake.

Avokati tha se ende nuk është e qartë se kur do të jetë seanca e radhës, teksa theksoi se si avokat mbrojtës mendon se nuk ka arsye për zhvillimin e procedurës.

“Në veprimet e prokurorisë dhe policisë, pavarësisht korrektësisë procedurale, nuk ka asnjë provë materiale, përveç artikujve dhe regjistrimeve, për gjithçka që ai akuzohet. Besoj se çdo gjë është çështje presioni dhe disa gjëra jashtë natyrës juridike penale dhe absolutisht qëndroj prapa kësaj”, tha ai, raporton Danas.

Avokati përsëriti se Radoiçiç ka mohuar kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet, duke shpjeguar në detaje se çfarë kishte bërë.