Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencë për dosjen e grupit të Laert Haxhisë, duke ia kaluar kështu Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas ligjit, SPAK ka kompetence të hetojë grupet kriminale.
Kujtojmë se Laert Haxhiu akuzohet për 6 vrasje (4 në Shqipëri dhe 2 në Greqi) dhe është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale.
Krimet e Haxhisë dhe të bandës së tij u zbuluan nga i penduari i drejtësisë Artan Tafani, i cili u arrestua pas grabitjes me armë në zonën e Astirit, në Tiranë.
Në mesin e personave të pikasur nga Laert Haxhiu ishte dhe prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu e cila ka në dorë çështjen e e tij.
I penduari i drejtësisë ka arritur të zbardhë dhe atentatin që po planifikohej ndaj prokurores së SPAK, Doloreza Musabelli.
Tafani, pjesë e bandës së Laert Haxhiut ka deklaruar se po thurej plani për ‘të hequr qafe’ Musabelliun si dhe prokuroren e Lushnjës, Merita Selimi dhe avokatin Adriatik Doga.
“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes.
I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, ka deklaruar i penduari Tafani
Laert Haxhia pritet të ekstradohet në Shqipëri, pasi vetëm disa ditë më parë gjykata e Janinës i dha dritën jeshilee kërkesës së bërë nga autoritetet shqiptare.