MENU
klinika

Masakra e Lushnjes

Gjykata e Lartë ‘rrëzon’ Laert Haxhiun

20.09.2023 - 12:47

Gjykata e Lartë në Dhomë Këshillimi vendosi të mos pranojë rekursin e Laert Haxhiut. Ai kërkonte ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 18 vite burg. Avokati i tij, Detar Hysi paralajmëron do të ndjekë rrugët ligjore në Gjykatë Kushtetuese pasi dënimi nuk është i bazuar në ligj.

Ai është i dënuar nga Gjykata e Apelit me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ai u dënua për plagosjen e Sajmo Xhelilit dhe Xhulio Shkurtit në 25 Shtator të 2016-ës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Çlirimi”, pas një sherri në lokal.

Gjatë kohës që ishte në arrati, 32-vjeçari dyshohet se tentoi të ekzekutonte për të dytën herë nipin e Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës. Në atë ngjarje u vranë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, ndërkohë që shpëtoi objektivi i atentatit Xhulio Shkurti. Ngjarja ndodhi në Shtator të 2017. Për “Masakrën e Lushnjes”, Laert Haxhiu është në proces gjyqësor në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për këtë ngjarje, është dënuar me burgim të përjetshëm shoku i tij, Orges Bilbili. Ai u arrestua në Prill të 2020 në zonën e Xhamllikut, në Tiranë.

Në atë kohë, u dyshua se Bilbili ishte së bashku me Haxhian. Por kjo gjë nuk u vërtetua nga hetuesit. Emri i Laert Haxhiut është lakuar edhe për 2 vrasje të tjera, por hetuesit nuk gjetën prova për ta lidhur 32-vjeçarin me ngjarjet.

Ndërkohë, Gjykata e Janinës ka refuzuar ekstradimin e Laert Haxhiut në Shqipëri. Në seancën gjyqësore avokatët mbrojtës, Detar Hysi nga Shqipëria dhe një avokat grek, argumentuan se 32-vjeçarit i rrezikohet jeta po të ekstradohet.

Ata u shprehën se Haxhiu është në rrezik nga Aldo Bare, një nga eksponentët kryesorë të krimit në Shqipëri. Këto argumente e bindën gjykatën që ka refuzuar kthimin e 32-vjeçarit në Shqipëri. Gjithsesi, Laert Haxhiu do të vijojë të qëndrojë në qeli pasi mbi të rëndojnë 2 akuza të tjera në shtetin grek. Laert Haxhiu akuzohet nga drejtësia greke për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”, “falsifikim dokumentash” dhe “dëshmi të rreme”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga vrasjet për drogën tek ringjallja e bandave

Krimet që përgjakën 2019/ Viti i kaluar u mbyll me 68 të vrarë

"Djali im ndodhet në arrati, se këtu s’ka drejtësi"

Në kërkim për masakrën e Lushnjës, flet i ati i Laert Haxhiut