Agjentët e shitjes së pasurive të paluajtshme pohojnë se ndërmarrja e një sërë hetimesh nga SPAK kundrejt figurave të fushës politike por edhe të sipërmarrjes, po jep ndikime në tregun e shitblerjes së pasurive të paluajtshme.
Dritan Leka nënvizon se fillimi i hetimeve e prek tregun në dy drejtime.
“Së pari, te drejtimi negativ: stepje për të investuar, e nxitur nga pasiguria e vazhdimësisë së biznesit, marrjes së pagës apo mbajtjes së vendit të punës, e cila do të reflektohet tek administrata (publike apo private) në momente që goditen titullarë biznesesh apo titullarë institucionesh për çështje të ndryshme.
Së dyti, në drejtim pozitiv. Klientët dhe investitorët e huaj shikojnë se gjithmonë e më shumë në vendin tonë, shteti po funksionon dhe se parimi i informalitetit si mit, po bie.
Kjo gjë do të sjellë investitorë të huaj, të cilët do të duan të investojnë në këtë realitet të ri, gjithmonë e më formal, si dhe të sigurt për investimet e tyre”.
Blerjet e pasurive të paluajtshme nga paratë informale (aktivitetet e paligjshme, korrupsioni etj) vlerësohet se kanë qenë një nga burimet kryesore që kanë furnizuar tregun e pasurive të paluajtshme në vite.
Ritmet e rritjes së këtij tregu kanë qenë shumë më të shpejta sesa të ekonomisë në përgjithësi.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT bëjnë të ditur se prodhimi i brendshëm bruto me çmime korente në aktivitetin e pasurive të paluajtshme, që mat vlerën e transaksioneve ekonomike në këtë sektor, arriti në 33.8 miliardë lekë, ose gati 320 milionë euro në tre muajt e parë të vitit, shumë më e lartë e regjistruar ndonjëherë, të paktën që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat.
Në tremujorin e parë të vitit, vlera ishte 32.3 miliardë lekë, duke e çuar gjithë gjashtëmujorin e parë në 66 miliardë lekë, ose rreth 630 milionë euro.
Të dhënat e tjera të bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se huaja e re për blerje banesash për të njëjtën periudhë ishte 24 miliardë lekë (rreth 230 milionë euro), duke mbuluar rreth 36% të blerjeve.
Ndërsa blerjet e të huajve për të njëjtën periudhë ishin rreth 127 milionë euro (20% e totalit të transaksioneve).
Operatorët e tregut kanë pohuar vazhdimisht se rreth 40% e tregut të pasurive të paluajtshme furnizohet nga burimet informale, shifër që konfirmohet indirekt dhe nga të dhënat e kredisë dhe blerjeve të të huajve.
Ekspertët parashikojnë që kufizimi i burimeve informale të japë ndikim në kërkesën për blerjen e pasurive të paluajtshme, teksa dhe një amnisti e pritshme ka mbetur pezull për momentin.
Ndikimi i amnistisë së mbetur pezull
Tregu priste rritje dhe nga një zbatim i një amnistike fiskale që do të nxiste blerjet në pasuritë e paluajtshme, por kjo amnisti ka mbetur pezull për momentin.
Sipas Ylli Sulës, drejtues i indeksit “Key Data” për pasuritë e paluajtshme, çmimet e larta të pronave reflektojnë pritshmërinë e ndërtuesve për miratimin e mundshëm të amnistisë fiskale që do të legalizonte të ardhurat e padeklaruara jashtë dhe brenda vendit.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, që solli rritje të menjëhershme të çmimeve të materialeve të ndërtimit dhe të kostos për gjetjen e fuqisë punëtore janë arsyet objektive që shtrenjtuan çmimet e pronave.
Ndërsa pritshmëria për zbatimin e amnistisë është arsyeja subjektive që ndikoi te rritja e çmimeve nga ndërtuesit.
Çmimet aktuale të apartamenteve pasqyrojnë pritshmërinë e ndërtuesve për zbatimin e amnistisë. Nuk mendoj se do të ketë tjetër rritje të çmimeve të pronave”.
Z. Sula rekomandon se tregut të pasurive të paluajtshme i nevojitet zbatimi i amnistisë së kapitaleve, por nisma duhet të garantojë mospërfshirjen e parave kriminale dhe të mos demotivojë taksapaguesit e rregullt.
“Për këtë arsye, amnistimi i parave të padeklaruara duhet të kryhet me tatim më të lartë deri në 20%, nga 5 deri në 10% që propozohet”, thotë ai.
Miratimi i draftit të amnistisë i lënë në heshtje nga institucionet shtetërore, sipas drejtuesit të agjencisë imobiliare “Future Home”, do të lehtësonte deklarimin e të ardhurave në bankë për shumë familje që kërkojnë të blejnë prona me vlerë deri në 50 mijë euro.
“Janë të shumtë individët që kanë punuar prej vitesh në emigracion apo edhe brenda vendit, duke kryer një punë të thjeshtë, por në të zezë, që nuk arrijnë të integrojnë në sistemin bankar, të ardhurat e përfituara, pasi nga bankat kërkohet historiku për të ardhurat”, shton z. Hysenbelliu.
Drafti për amnistinë fiskale u miratua nga Këshilli i Ministrave në 2020, por nuk kaloi për shqyrtim në Kuvend, për shkak të debateve dhe kundërshtive të hasura nga institucionet ndërkombëtare.
Në qershor 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi te konsultimet publike projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale, që u mirëprit nga sipërmarrësit dhe shoqatat e biznesit, pasi përveç riatdhesimit të kapitalit nga jashtë, nëpërmjet deklarimit vullnetar, mundëson edhe rivlerësimin e pasqyrave financiare.
Nisma ende nuk e ka kaluar fazën e konsultimit me grupet e interesit.
Ulen dhe blerjet e të huajve në prona
Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme u rritën ndjeshëm vitin e fundit, sidomos në bregdet, në linjë me kthimin e vendit në një destinacion turistik.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 291 milionë eurove, në rritje me 52% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 21% të vlerës së përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar.
Por, në 6 mujorin e parë, blerjet e të huajve kanë rënë, në kontrast me tendencën rritëse të shitjeve të pasurive të paluajtshme në total.
Në total, për të gjithë 6-mujorin e parë të vitit, vlera e investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme ka zbritur në 127 milionë euro, në rënie me 14.2% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar./Monitor