MENU
klinika

Berisha tha se nuk kishte komunikuar

Ilir Meta jashtë Shqipërisë? Vjen reagimi i parë nga Partisë e Lirisë

27.10.2023 - 14:24

Elona Guri, zyrtare e Partisë së Lirisë, ka reaguar për lajmin që po qarkullon ditët e fundit në mediat vendase se Ilir Meta është larguar nga Shqipëria, për shkak të frikës së një arrestimi të mundshëm nga SPAK.

Guri thotë se raportet mediatike janë të pavërteta dhe “eksitim i Rilindjes”, si një përpjekje e dëshpëruar dhe qesharake për të mbuluar aferat dhe përgjegjësitë e tyre.

“Eksitimi i Rilindjes me Fake Neës është një përpjekje e dëshpëruar dhe qesharake për të mbuluar aferat dhe përgjegjësitë e tyre direkte, prej të cilave nuk shpëtojnë dot. Mali i dokumenteve, fakteve dhe provave, nuk zhbëhen dot me asnjë lloj shashke apo gënjeshtre”, shkruan Elona Guri.

Për këtë lajm është pyetur mbrëmjen e djeshme në studion e emisionit “Opinion” dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili zyrtarisht ka një çështje të hapur me SPAK dhe Gjykatën e Posaçme.

Sali Berisha tha se ditët e fundit nuk ka komunikuar me Ilir Metën dhe nuk mund të thoshte se ku ndodhej ai, në Shqipëri apo jashtë shtetit, por shtoi se “ai udhëton shumë…”, duke u dhënë më tepër zë aludimeve për largim të ish-presidentit.

“Të them të vërtetën nuk mund të them se ku është, se ai udhëton… Nuk kam folur me atë që nga e shtuna dhe këtej”, u shpreh ai.

Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është thirrur muaj më parë për të dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe ka dëshmuar për disa orë. Hetimet, sipas atyre që kanë rrjedhur në media, lidhen me një lobim jashtë vendit dhe çështjen ÇEZ-DIA.