Ish këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, ka komentuar takimin e fundit të Kurtit në Bruksel.
Në një postim në llogarinë zyrtare në Facebook, ai tha se Kosova ka paraqitur shtatë kushte për marrëveshje me Serbinë.
Shtatë kushtet e Kosovës për marrëveshje me Serbinë:
-Sanksione dhe ndëshkim për Serbinë;
-Hetim për grupin paramilitar të sponzorizuar nga Serbia;
-Ekstradim të grupit terrorist në Kosovë ku do të ketë gjykim fer;
-Nënshkrim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit nga palët;
-Kosovës statusin e vendit kandidat për BE,
-Njohje e Kosovës nga pesë shtetet e mbetura të BE-së;
-Marrëveshje për partneritet për paqe me NATO-n që do të çonte drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Ditën e djeshme Kurti dhe Vuçiç u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.
“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, tha kryeministrja italiane pas takimit që u zhvillua në margjina të një samiti të BE-së.
E ndërsa Kurti dhe Vuçiç nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se përgëzon kryeministrin e Kosovës “për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit, si një kuadër për negociatat vijuese”.
“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve”,-shkroi Rama në platformën X.