MENU
klinika

E shkuara kriminale e mikut të 'Rrumit të Shijakut'

Kush ishte shënjestra e Aldi Mustafës

02.10.2023 - 09:36

Erald Mustafa, i konsideruar nga policia si pjesë e grupit të “Rrumit të Shijakut”, u arrestua mbrëmjen e së shtunës në Durrës, ndërsa lëvizte me armë me vete.

Mustafa, një person me precedent të theksuar kriminal, dyshohet se kishte planifikuar një vrasje. Vetë policia, njofton se ai është vënë në pranga ndërsa po shkonte për të vrarë një person, sipas dyshime për hakmarrje personale, ndonëse ende policia nuk e din se kush ishte vënë në shënjestër prej tij.

Bashkë me Mustafën, 37 vjeç, është vënë në pranga edhe bashkëpunëtori i tij, Klevis Kurdiu, 29 vjeç, i cili po lëvizte në të njëjtën makinë me mikun e Aleksandër Lahos, njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.

Policia theksoi se: “Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, falë inteligjencës policore se një shtetas me precedent të theksuar kriminal po qarkullonte i armatosur dhe kishte planifikuar të kryente një vrasje, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tentativa”.

Si rezultat, në lagjen nr. 15, Durrës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin lëvizte shtetasi i armatosur dhe kanë ndërhyrë duke zbatuar të gjitha procedurat standarde për ndalimin e një automjeti”, njofton Policia. Mësohet se Erald Mustafa, kishte 2 ditë që qarkullonte nëpër qytet me tentativë për të marrë hak për vendosjen e tritolit që i shpërtheu na makinën e tij më 3 prill 2023.

Grupi hetimor ende nuk e ka të paqartë se kush është objektivi, pasi ngjarja e ndodhur 6 muaj më parë ka mbetur e pazbardhur akoma. Para hetuesve, Aldi Mustafa nuk ka pranuar të japë deklarime ndërkohë që pritet dalja e tij në gjykatë për masën e sigurisë ditën e sotme. Policia thekson se në mjet iu gjet një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe municion luftarak. Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.

I ARRESTUARI

Erald Mustafa nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi rezulton me precedentë të theksuar kriminal. Në 3 prill të këtij viti, persona ende të paidentifikuar shpërthyen me telekomandë makinën e tij.

37-vjeçari doli i pa lënduar nga shpërthimi, ndërsa pak minuta para se të ndodhte ngjarja, la në banesë gruan me fëmijën. Zona në të cilën ndodhi ngjarja kishte kamera të shumta sigurie, ndërsa Policia shpërndau edhe videon e shpërthimit të mjetit.

Aldi Mustafa, është arrestuar më 30 gusht të vitit 2021 me dy të tjerë, pasi po planifikonin një tjetër vrasje. Aldi Mustafa rezulton i dënuar më parë me 10 vite burg në Gjermani, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ndërkohë më 30 dhjetor të vitit të kaluar, me vendim të gjykatës i është shuar masa e arrestit me kërkesë të tij.

Ai ishte dënuar me 2 vjet burg pas arrestimit në gusht të dy vjetëve më parë për mosbindje të urdhrit të policisë, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të parregullt të mjetit. Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me Aleksandër Lahon i njohur si “Rrumi”, një personazh i përfolur në ngjarje kriminale të shumta, por i pa vënë në pranga.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN