MENU
klinika

"Vuçiç le të merret me Kinën"

Kurti takon Brnabiç: I kërkova të nënshkruajmë marrëveshjen bazike

16.10.2023 - 20:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Tirana ka kërkuar që Bashkimi Evropian të sanksionojë Serbinë dhe të garantojë siguri për Kosovën.

Në një konferencë për gazetarët, Kurti u shpreh se Presidenti serb është i zënë në Kinë, ndërsa tha se kryeministres Brnabiç sot i ka kërkuar që të nënshkruajnë marrëveshjen, por ajo nuk ka pranuar.

Kryeministri i Kosovës tha gjithashtu se Ndërkombëtarët duhet të marrin masa ndaj Serbisë për sulmin në veri ku mbeti i vrarë një efektiv policie.

“Është e rëndësishme që të mos ketë episode të tjera si ato në 24 shtator. Duhet të ketë sanksione për Serbinë dhe siguri për Kosovën. Është ditë e mirë sepse procesi i Berlinit e bën Ballkanin evropian. Të gjitha shtetet duhet të anëtarësohen sa më parë.

Ne kemi marrëveshje me Serbinë, ajo e 27 shkurtit që ka njohjen de facto reciproke dhe ajo duhet të zbatohet. Sot gjatë takimit të drekës unë kam kërkuar nga kryeministrja Brnabiç që ta nënshkruajmë marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit.

Unë jam që të zbatohen ato tani që presidenti i Serbisë është i zënë në Kinë në takim me superfuqitë lindore. Unë kam thënë le të nënshkruajmë me kryeministren e Serbisë, por ajo nuk ishte e interesuar. Scholzit i jam shumë mirënjohës”, tha Kurti.