MENU
klinika

Arrestohet 36-vjeçari

‘Laboratori’ prodhonte paketa cigare në mënyrë të kundraligjshme

15.10.2023 - 12:14

Një punishte që prodhonte cigare në mënyrë të jashtëligjshme është zbuluar nga policia në Durrës, ndërsa në pranga është vënë një 36-vjeçar.

Sipas policisë, i riu prodhonte paketa me cigare, për t’i shitur në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa i janë sekuestruar edhe makineritë, një sasi duhani dhe paketa me cigare.

“Në vijim të punës hetimore dhe operacionale për konstatimin dhe goditjen e krimeve ekonomike e financiare, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë goditur një rast të veprimtarisë së kundërligjshme të prodhimit dhe tregtimit të paketave me cigare, si dhe të magazinimit të një sasie duhani të kontrabanduar, me qëllim shitjen e tij me pakicë.

Në një punishte në lagjen nr. 17/1, Policia gjeti makineritë që shërbenin për prodhimin e cigareve, për t’i shitur me pakicë, si dhe 63.2 kg duhan të papërpunuar, i dyshuar i kontrabanduar, të cilin ky shtetas e përdorte për të prodhuar paketat me cigare, që i shiste në mënyrë të kundërligjshme.

Shërbimet e Policisë bllokuan punishten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, makineritë, paketat dhe sasinë e duhanit”, thote policia.

Nderkohe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.