MENU
klinika

Seanca

Mazhoranca dhe opozita “në një mendje”: Të kemi një rezolutë për Kosovën!

02.10.2023 - 21:18

Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë kanë propozuar një pr/rezolutë në mbështetje të Kosovës. Kanë qenë fillimisht deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kërkuan që Kuvendi në këtë seancë të dale me një projekt rezolutë. Gjatë fjalës së saj deputetja Mimi Kodheli u bëri thirrje edhe kolegëve të opozitës që t’i bashkohen këtij propozimi të Partisë Socialiste.

“Do të doja të dilnim nga ky parlament sot me një rezolutë për Kosovën”, tha ajo. Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike dhe kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj force politike, Gazment Bardhi, mbështeti këtë propozim të socialistëve dhe theksoi se duhet një rezolutë e koordinuar me Parlamentin e Kosovës.

“Ministri duhet të dënonte sulmin e Serbisë. Duhet një rezolutë një orë e më parë të koordinuar me parlamentin e Kosovës. Duhet të dimë çfarë po bën diplomacia shqiptare në nxirjen e një hetimi ndërkombëtar. I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare. T’i ulin në një proces autentik për normalizimin, kjo është sot një domosdoshmëri. Kemi deklaruar se formati i dialogut duhet ngritur në Shqipëria”, tha ai.

Lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në Kosovë ministri i Jashtëm Igli Hasani u bëri thirrje sërish bashkësisë ndërkombëtarë që të ndërhyjnë për normalizimin e situatës. Më tej ai theksoi se nxitësit e sulmit duhet të dënohen dhe se duhet të ketë një shtim të forcave të KFOR-it për sigurinë e Kosovës.

“Qeveria ka dënuar aktin kriminal në Kosovë. Ka tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Kosovën. Nxitësit duhet të ndëshkohen. Dita e zisë në Beograd është sinjali më i keq që i jep rajonit. BE dhe SHBA duhet të ngrenë lart alarmin për përshkallëzimin e situatës dhe garantimin territorial të Kosovës. Duhet të ketë shtim të KFOR-it si garanci për sigurinë në Kosovë”, tha ai gjatë fjalës në Kuvend.