MENU
klinika

Sezoni turistik 2024

Ministrja Kumbaro: Sot miratohen stacionet e plazheve, aplikimet e hapura deri në fund të vitit

25.10.2023 - 11:37

Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik do të mblidhte ditën e sotme dhe do të miratohen stacionet e plazheve për vitin 2024. Lajmi u bë me dije nga ministrja Mirela Kumbaro, e cila foli për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë. Kumbaro tha se aplikimet do të hapen në muajin nëntor dhe do të mbyllen brenda këtij viti.

“Sot kemi mbledhin e Komitetit të Menaxhimit të Sezonit, ku miratohen stacionet e plazheve për vitin 2024. Aplikimet fillojnë brenda muajit nëntor, mbyllen brenda vitit 2023 për të qenë më të përgatitur se vitin e kaluar”, tha Kumbaro.
Ditën e sotme pritej që të miratohej projektbuxheti dhe paketa fiskale 2024, por u shty duke qenë se kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel. E pyetur nga gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku nëse do ketë ndryshime sa i takon sektorit të turizmit, duke qenë se favorizohet në taksa, ministrja u bëri thirrje të gjithë strukturave akomoduese që të aplikojnë pranë ministrisë së Turizmit që të përfitojnë nga TVSH 6%.

“Do kemi një moment të dytë kur buxheti do kalojë në qeveri. TVSH 6% e aplikuar për strukturat akomoduese me kushtin që të formalizohen, regjistrohen pranë ministrisë është një praktikë që ka nisur prej më shumë se 4 vitesh. Në 2 vite kemi rreth 2500 struktura akorduese bujtina hotele, resorte. Çdokush që ka hotel nuk mjafton të jetë në QKB për ta përfituar këtë ulje 6% për truizmin. Duhet të regjistrohet pranë ministrisë për të marrë kategorinë e caktuar. Kemi nisur ndryshimet në ligjin e turizmit. Ta lexojnë të japin sugjerimet, projektligji do i nënshtrohet konsultimit në institucione, amendim që vjen si kërkesë e domosdoshme pas ndryshimeve të shpejta të realitet në Shqipëri”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi së ka pasur një rritje të operatorëve turistikë detar të certifikuar. Ndalur në shifra, ministrja tha se nga 11 operatorë turistikë detarë që kanë qenë në vitin 2021, këtë sezon turistik numëroheshin mbi 100.

“Përpjekjeve të tjera për formalizm më duhet ta pranoj, që jo vetëm në hotele, por operatorët turistik, viti 2023 ka shënuar një përmirësim në dimensionet 70-80%. Në vitin 2021 kishim vetëm 11 operatorë turistikë detar të certifikuar. Sot kemi mbi 100 të tillë, kjo si pasojë e kontrollit”, vijoi ministrja.

Sa i takon informalitetit në sektorin e turizmit, ministrja tha se për vitin 2024 do jetë gati sistemi për përpunimin e statistikave.

“Jemi duke punuar për një metodologji të re të sistemit të statistikave të turizmit. Statistikat që në nxjerrim i bëjmë si kryqëzim të burimeve të ndryshme nga INSTAT, Tatimet, Financat, bashkitë, por ekziston në botë një metodologji e dedikuar për turizmin si një platformë ku kryqëzohen të dhënat online nga pushteti vendor, qendror dhe sektori privat. Për 2024 do ta kemi gati SAT, e radhit Shqipërinë në vendet me sukses në turizëm, jo thjesht nga fluksi, ndërtimet, por edhe për nga instrumentet ligjorë që e rregullojmë këtë territor”, u shpreh Kumbaro.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u diskutua marrëveshja për anëtarësimin e Shqipërisë në IUCN-Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, e cila më pas do t’i kalojë Kuvendit. Në daljen e saj për mediat, ministrja Kumbaro u shpreh se deri më sot ka qenë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura anëtare e kësaj organizate, por tashmë bëhet fjalë për anëtarësimin si shtet që i jep Shqipërisë të drejta të plota brenda kësaj organizate.

Një vendim që mori qeveria shqiptare që ka të bëjë me miratimin në qeveri për anëtarësimin e Shqipërisë në bashkimin ndërkombëtar të konservimit të natyrës. Është një organizatë ndërkombëtare që ka vendosur standarde për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Deri më sot ka qenë agjencia kombëtare e zonave të mbrojtura si anëtare në nivel agjencie, por për herë të parë Shqipëria bëhet anëtare si shtete që i jep të drejtat më të plota por na siguron shkëmbime përvojash në zhvillimin e qëndrueshëm të mbrojtjes së mjedisit, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe kthimin tyre në destinacione turistike. Kjo është ajo që quhet zhvillimi i qëndrueshëm dhe anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizatë është një angazhim në prioritetin tonë për mjedisin zonat e mbrojtura”, theksoi Kumbaro.