MENU
klinika

Intervista

Nazarko: Shqiptarët duhet të kenë kujdes partitë pro-serbe e pro-ruse në Mal të Zi

19.10.2023 - 21:42

Zgjedhjet e mbajtura më 11 qershor në Mal të Zi mendoheshin se do t`i jepnin një zgjidhje ngërçit politik që ka kapluar vendin. Mirëpo siduket këto ishin vetëm shpresa për shkak se lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, Millojko Spajiq, deri tani nuk ia doli të sigurojë shumicën qeverisëse. Kjo për shkak se Spajiq nuk dëshiron një koalicion qeveritar me socialistët e ish-Presidentit Millo Gjukanoviq dhe lëvizjen “URA” të kryeministrit aktual Dritan Abazoviq. Analisti politik, Mentor Nazarko, një njohës i mirë i zhvillimeve politike në këtë republikë ish-jugosllave, në një intervistë për KDP.MK thekson se nevojiten 3 muaj sipas afatit kushtetues që të krijohet shumica e re qeverisëse, dhe se vendi aktualisht gjendet brenda këtyre afateve. Nazarko thotë se partitë shqiptare në Mal të Zi nuk po veprojnë sipas ndonjë frymëzimi të përbashkët që mund të vijë nga Tirana, apo Prishtina, por siç thotë ai, në mënyrë të personalizuar, dhe për të maksimizuar pozitat që do të merrnin në Qeveri. “Kur shkon puna te partitë shqiptare, më duhet të them me një lloj keqardhje se ato nuk po veprojnë sipas ndonjë frymëzimi të përbashkët që mund të vijë nga Tirana, apo Prishtina, apo nga të dyja anët njëkohësisht, por në mënyrë  të personalizuar, për të maksimizuar pozitat që do të merrnin në Qeveri. Kjo qasje për pozita po e dobëson forcën e tyre negociale”.

Intervistoi: Enis Shaqiri

KDP: Zoti Nazarko, çfarë po ndodh aktualisht në skenën politike në Mal të Zi? Sipas Jush pse nuk po formohet ende Qeveria, dhe ku qëndron problemi?

Mentor Nazarko: Mali i Zi ka dinamikën e vet politike pluraliste, e cila zhvillohet në një kontekst kushtetues me një frymëmarrje të gjerë për krijimin e një Qeverie. Nevojiten 3 muaj sipas afatit kushtetues, pra jemi brenda këtyre afateve, ndonëse me standardet e vendeve tjera ballkanike kjo duket shumë. Vështirësitë që krijohen përpara Millojko Spajiqit- pra mandatarit, i cili nuk arriti dot të përkthente frymën për ndryshim që u pa në rastin e zgjedhjeve për president në votë për lëvizjen e tij, – si janë  disa vija të kuqe, jo koalicionit me partinë e zotit Gjukanoviq, apo jo me partinë e zotit Dritan Abazoviq, nuk po e pamundësojnë të krijojë një shumicë të mjaftueshme. Orekset brenda partisë së vet, apo partive të tjera të cilat në fillim u dukën se ishin pro krijimit të Qeverisë, janë të papërballueshme. Jorgani nuk mund të shtrihet më shumë, kështu siç po e kuptoj unë, përkëmbimet e tjera janë të vështira.

KDP: Si e shikoni pozicionimin e partive shqiptare, per tu bërë pjesë e kabinetit qeverisës të Millojko Spajiq?

Mentor Nazarko: Kur shkon puna te partitë shqiptare, më duhet të them me një lloj keqardhje se partitë shqiptare nuk po veprojnë sipas ndonjë frymëzimi të përbashkët që mund të vijë nga Tirana, apo Prishtina, apo nga të dyja anët njëkohësisht, por në mënyrë vetanake, për të maksimizuar pozitat që do të merrnin në Qeveri. Kjo qasje egoistike e dobëson forcën e tyre negociale. Në fakt, duket qartë se këto parti nuk kanë ndonjë vijë të kuqe. Pra, ato mund të bëhen pjesë e një Qeverie ku mund të ketë parti proserbe apo parti proruse, të cilat janë ridimensionuar ndjeshëm në zgjedhjet e fundit. Më duhet të themë se këto parti nuk e kanë fare shqetësim që të jenë pakica, ose partia e pakicës, që dekoron si pluraliste një qeverisje ku mund të jetë partia e zotit Spajiq dhe Fronti pro rus. Pra, partitë shqiptare nuk duket se ndjejnë ndonjë lloj përgjegjësie që zbukurojnë si dekor një kombinim apo një përkëmbim të tillë partiak.Ato mund të votojnë për kryetar parlamenti një figurë të shpallur non grata nga SHBA.

KDP: Po me këto kombinime, ku është partia e kryeminsitrit në largim, Dritan Abazoviq?

Mentor Nazarko:  Zoti Abazoviq, i cili ka në bilancin e vet suksese të mëdha për vendin e tij,- apo ka shumë procese të mbyllura me sukses, me idejimin e tij, pjesëmarrjen e tij, kontributin e tij- suksese që përfshijnë mundësimin e rotacionit, afimimin e një elite të re teknokratësh në qeverisje, normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike, ndërfetare, me fqinjët dhe fuqizimin e faktorit shqiptar, komunave shqiptare, rritjen cilësore dhe sasiore të marrëdhënieve me Shqipërinë- e k bërë të qartë se do të jenë konstruktivë. Ndonëse ka qenë skeptik për mundësimin e krijimit të kësaj Qeverie në fazën e parë të negociatave. Midis zotit Spajiq dhe zotit Abazoviq ka qefmbetje për shkak të rolit kritik që partia e zotit Abazoviq pati në pjesën e fundit të fushatës për përfshirjen eventuale të zotit Spajiq në marrëdhënie me një mashtrues të njohur ndërkombëtar në fushën e kriptovalutave, një korean jugor. Mirëpo, me ndikimin e Presidentit, nxitur nga nevoja e zotit Spajiq, duket sikur  është hequr kjo vijë e kuqev me partinë e zotit Abazoviq. Mirëpo, ende nuk është e qartë se partia e zotit Abazoviq do të përfshihet në qeverisje. Ndërkohë që është e pakuptueshme se si partitë tjera shqiptare, të cilat kanë përfituar shumë nga qeverisja e zotit Abazoviq, qoftë si zv/kryeministër, apo si kryeministër, kanë orekse të mëdha për të bërë lojën e tij, por pa patur fuqinë, diturinë dhe rrjetin e miqësive që kishte ai dhe nuk vendosen për pasojë në trenin politik që mund të kompozojë ai. Kështu që hapësira që ka zoti Abazoviq është e kufizuar. Gjithsesi, le të presim sepse ka ende kohë sipas afateve kushtetuese të Malit të Zi për krijimin e kësaj Qeverie.

KDP: Ka pasur spekulime se kreu i partisë fituese, Millojko Spajiq, mund të krijojë shumicë edhe me partinë e ish-presidentit Gjukanoviq. A eshte e mundur kjo?

Mentor Nazarko: Zoti Spajiq njihet si një figurë pragmatike e cila në kushte ideale mund të bënte koalicion me partinë e zotit Gjukanoviq. Mirëpo brenda kësaj partie- që është një parti e re, e krijuar vetëm prej tre vitesh, ka një konsensus në atë se Lëvizja Evropa Sot, e zotit Spajiq, nuk mund dhe nuk duhet të bëjë koalicion me partinë e zotit Gjukanoviq. Kjo e kufizon hapësirën e manovrës të zotit Spajiq për të krijuar Qeveri, diçka që lodh qytetarët dhe e zbeh atë që ishte shpresa apo investimi elektoral paraprak që u vu re tek votimi i Presidentit, por që u tretën, tek Spajiqi, ai që udhëhiqte partinë ose Lëvizjen Evropa Sot.

KDP:  Çfarë mendoni, Millojko Spajiq, a do të ja dalë të krijojë Qeverinë, qoftë edhe me partitë pro-serbe?  Ose Mali i Zi të shkojë në zgjedhje të reja?

Mentor Nazarko: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të qartë që nuk do të preferonin që të kishte parti pro-serbe në qeverisje, në fakt parti pro-ruse. Kështu që zotit Spajiq i duhet të lëvizë në një labirint të tillë ndërpartiak i cili është i fraksionuar, por gjithsesi panorama partiake malazeze është e qetë, është demokratike, kështu që nuk ka kushtëzime të fuqishme ndërkombëtare. Shumë përkëmbime janë të hapura, SHBA-të janë duke u përshtatur në kontekstin e politikës kur zoti Gjukanoviq nuk është ndonjë faktor përcaktues si më parë, dhe në pikapamjet diplomatike janë duke përjetuar një lloj tranzicioni. Ambasadorja është në fundin e mandatit të vet, pritet të vijë një diplomat tjetër i cili vetëm rastësisht është me origjinë shqiptare, nga Maqedonia e Veriut, por që është një njohës i hershëm i rajonit, i cili ka punuar me zotin Hill, në procese të tilla si Rambujeja apo më pas, dhe që njeh edhe Malin e Zi ku ka shërbyer. Por gjithsesi ka patur role të rëndësishme kryesisht afër ambasadorit Hill, duke krijuar për rikompozimin e një ekipi të zotit Hill në krejt vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një situatë si kjo, mundësia që të bëhet koalicion me frontin pro-rus duket e vështirë, me kaq vija të kuqe që janë hequr nga miqtë perëndimor të Malit të Zi. Shtuar këtu qefmbetjet, detyra e zotit Spajiq megjithatë duket e vështirë dhe kjo e rrit probabilitetin që Mali i Zi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Liderët shqiptarë kanë në dorë përsëri fatin e kësaj qeverie, por ata mund të zgjedhin të sjellin paradoksalisht  në pushtet për herë të parë partinë proserbe. Duket iluzion i rrejshëm se ata do të votojnë thjesht për kreun e parlamentit ndërkohë që Fronti proserb dhe prorus mund të marrë kontrollin e kompanive të fuqishme publike të Malit të Zi. Është paradoksale sepse pikërisht manovrat politike të Abazoviqit, sollën dhe tretjen e këtij Fronti në vetëm 14 deputetë sot. Shqiptarët mund të vendosin ta fuqizojnë sërish Frontin proserb duke e sjellë për herë të parë në ekzekutiv pas 30 vjetësh të Millo Gjukanovicit në pushtet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Duhet të bashkëpunosh me Shqipërinë dhe të ulesh me të përballë fqinjit verior"

“Ballkani i hapur”, Nazarko: Besoj se Kosova ka qenë e ftuar në Shkup, për të kufizuar ndikimin e Serbisë

"Instrument që ka relaksuar marrëdhëniet Serbi-Shqipëri"

“Ballkani i Hapur”, Nazarko: Ka rezultate pozitive, ja kush janë kundër kësaj nisme