MENU
klinika

Analiza

Nikeli, nevojat për përpunimin në Shqipëri

22.10.2023 - 15:51

Situata aktuale dhe zhvillimi perspektiv në veprimtarinë minerare, konceptet e reja për aktivitetet minerare të lidhura me strategjinë europiane për mineralet, sfidat, tregu dhe kërkesat për minerale, gjithnjë e më tepër nxjerrin në pah rëndësinë e mineraleve të nikelit për ekonominë shqiptare e cila do të ndihet realisht në rastin kur ky mineral do të arrihet të përpunohet në Shqipëri, në produkte përfundimtare të nikelit, jo thjesht produkte për industrinë e çelikut.

Minerali i nikelit vlerësohet që në të ardhmen globalisht do të bëhet një prej mineraleve të shumëkërkuar si burim lënde e parë për industri të zhvilluara me shpejtësi kohët e fundit, në kuadër të ekonomisë së gjelbër, si ajo e baterive, etj.

Mineralet më të rëndësishme prej nga nxirret Ni janë pentlanditi (Ni, Fe) 9 S 8 me përmbajtje 22-42% Ni, mileriti NiS, që përmban 64.7% Ni, nikelina NiAs, që përmban deri 44% Ni.

Në lateritet, mineralet kryesore të Ni janë limoniti (Fe, Ni) O (OH) dhe garnieriti (hidrosilikati i nikelit), nepuiti, anabergiti etj. Vendet kryesore të pasura me minerale të nikelit janë Australia, Brazili, Kanadaja, Kuba, Indonezia, Kaledonia e Re, Rusia, Filipinet, Afrika e Jugut, etj.

Burimet gjeologjike të identifikuara globalisht me bazë tokësore me një përmbajtje mesatare prej rreth 0.5% nikel ose më shumë, kanë të paktën 350 milionë tonë nikel metal, të shpërndarë 62.4% në lateritet dhe 37,5% në mineralet sulfide. Burime të gjera të nikelit gjenden gjithashtu në dyshemenë e oqeanit që sipas identifikimeve të deritanishme përmbajnë rreth 300 milionë tonë nikel metal.

Burimet totale gjeologjike (A+B+C1+C2) të vendburimeve të xeherorëve të nikelit në Shqipëri vlerësohen të jenë rreth 310 milionë tonë xeheror Fe-Ni dhe Ni-Si, me një përmbajtje mesatare prej 1,06% Ni dhe 0,044% Co (230,3 milionë tonë xeheror Fe-Ni me përmbajtje 1,027% Ni dhe 0,038% Co dhe xeheror nikel-silikati 81,4 milionë tonë, me përmbajtje 1,145% Ni dhe 0,061% Co; pra rreth 3,22 milionë tonë nikel metal ose rreth 0,49% e rezervave të identifikuara në botë të këtij minerali).

Konsumi i nikelit në vitet e fundit ka qenë në intervalin prej 2-3 milionë tonë metrikë përmbajtje metalike. Kohët e fundit, më shumë se gjysma e rezervave për nxjerrjen e nikelit metal përdorin përpunim hidrometalurgjik.

Situata aktuale dhe zhvillimi perspektiv në veprimtarinë minerare, konceptet e reja për aktivitetet minerare të lidhura me strategjinë europiane për mineralet, sfidat, tregu dhe kërkesat për minerale, gjithnjë e më tepër nxjerrin në pah rëndësinë e mineraleve të nikelit për ekonominë shqiptare e cila do të ndihet realisht në rastin kur ky mineral do të arrihet të përpunohet në Shqipëri, në produkte përfundimtare të nikelit, jo thjesht produkte për industrinë e çelikut.

Ky informacion është i nevojshëm për plotësimin e një vakuumi sa i përket shpërndarjes së informacionit dhe promovimit të këtij minerali, i cili sot përballet me sfida të shumta në vend, por edhe në tregun europian dhe botëror, ku konkurrenca po rritet çdo ditë e më shumë.

Krijimi i mundësive për trajtimin në Shqipëri, si një proces me vlerë të shtuar, aktualisht është bërë domosdoshmëri për industrinë minerare të nikelit, si një burim i munguar fitimi për vendin, (duke vlerësuar që Shqipëria ka vendburime që mund të klasifikohen deri në të mesme sipas sasisë së rezervave), si burim i madh punësimi dhe si sektor për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, sidomos të sektorit minerar.

Një vizion i qartë me objektiva realë duhet të shoqërohet me një plan veprimi real me ide të reja, mbi metodat e trajtimit të xeherorëve tanë të nikel-silikatit dhe hekur-nikelit dhe mbi të gjitha, t’i zbatojmë ato drejt dhe në kohë.

Shqipëria është e njohur për potencialin e saj në nikel, informacioni, analiza, prezantimi i rezervave dhe klasifikimi i burimeve minerale sipas parametrave të njohur ndërkombëtarë, nevoja për përmirësime në teknologjinë e përdorur deri më tani në shfrytëzimin e tij në miniera dhe prezantimi i ideve të ndryshme teknologjike në përpunim, do të ndihmojnë në vlerësimin dhe realizimin më të mirë të diskutimit profesional për të gjetur opsionin më të mirë për investime të suksesshme dhe për të krijuar një situatë të favorshme si për investitorët, edhe për qytetarët.

Përfitimet e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri

Sfidat i bëjnë politikëbërësit në mbarë botën të ndryshojnë strategjitë, politikat, prioritetet, projektet, t’i menaxhojnë ato në përputhje me vizionin e zhvillimit të qëndrueshëm të vendeve të tyre.

Në këtë kontekst, tanimë është domosdoshmëri që dhe në Shqipëri të mund të realizohen qëndrime të tilla dhe për këtë mineral duhet të shihet në veçanti bashkëpunimi me Kosovën, sepse Shqipëria dhe Kosova vlerësohen si potenciali mineral më i rëndësishëm në Ballkan, veçanërisht për metalet, si për shumëllojshmërinë e tyre, por edhe për rezervat minerale.

Ndaj jo çuditërisht, shumë studiues i kanë konsideruar ato si pikë reference për shumicën e vendburimeve minerale në Ballkan. Shqipëria dhe Kosova mund të ofrojnë shumëllojshmëri produktesh minerare përfundimtare për veten, Europën dhe globalisht, duke bërë që industria minerare të bëhet një motor i rëndësishëm për zhvillimin e tyre të qëndrueshëm.

Në tre mineralet kryesore metalike të shfrytëzuara në Shqipëri, krom, bakër dhe nikel (xeheror të hekur-nikelit dhe nikelit-silikat), nikeli për ndikimin e tij në ekonomi zë ende vendin e tretë. Rezervat ballkanike të nikelit dominohen nga xeherorët lateritike, duke përfshirë lateritet e fosilizuara të pranishme në Shqipëri, si silikate të nikelit dhe xeherorë hekur-nikeli të ruajtura nën gëlqerorët dhe konglomeratet e sipërme të Kretako-Eocenit.

Depozitimet më të rëndësishme janë të lidhura me formacionin ofiolitik. Struktura gjeologjike e Albanideve ka kushtëzuar një përhapje të gjerë dhe të larmishme. Në zonat e brendshme tektonike hasen përqendrimet kryesore të depozitimeve metalike, ndërsa në zonat tektonike të jashtme të përhapura janë depozitimet e naftës dhe gazit.

Tabloja e pasur metalogjenike përbën një nga tiparet më të spikatura të territorit të Shqipërisë. Inventari i burimeve të saj minerare përfshin mineralet metalike (kromi, bakri, zinku, hekur-nikel, nikel-silikat, sulfidi i nikelit, boksitet, titan-magnetiti, metalet e rralla, etj.), mineralet industriale (oliviniti, dolomiti, argjila, magnezi, gips, fosforit, qelq vullkanik etj.), qymyr dhe torfe, gurë dekorativë, materiale ndërtimi, burime ujore, ujëra minerale dhe termale.

Territori i Shqipërisë përfshihet tërësisht në strukturën alpine, në harkun Apenin-Dinaro-Albano-Helen, i cili përbën degën jugore të brezit të palosur alpino-mesdhetar. Struktura gjeologjike e Shqipërisë njihet me emrin Albanides.

Gjeologjia dhe Rezervat e Fe-Ni dhe Ni-Si në Shqipëri

Nikel-silikati në Shqipëri ndodhet në dy zona kryesore, në verilindje (Trull, Surroj, Kukës) dhe në juglindje, Bitinckë (Bilisht).

Trupat xeherore të nikel-silikatit janë të vendosur në pjesën e poshtme të depozitimeve të hekur-nikelit. Sekuenca gjeologjike në përgjithësi përbëhet nga fundi sipas kësaj radhe: shkëmbinjtë ultrabazikë (serpentinite) trupat e nikelsilikatit, trupat e hekurnikelit, depozitimet karbonatike në pjesën e sipërme.

Trupat e nikel-silikatit ndahen me ato të hekur-nikelit, me një kontakt të prerë e të qartë, ndërsa në pjesën e poshtme, me serpentinitet, kontakti është gradual dhe ndarja e tyre realizohet nëpërmjet analizave kimike. Këndi i rënies së këtyre trupave është rreth 20-25 gradë dhe trashësia 4-5 m.

Trupat xeherore janë shtresore dhe pak të komplikuara nga uljet tektonike. Mineralizimet e nikelit lidhen me disa lloje mineralizimesh në Shqipëri dhe kanë një shpërndarje nga Jugu në Veri lidhur me ofilitet. Mineralizimet e vlerësuara janë:

Mineralizimet ekzogjene të Ni-Silikat përhapen kryesisht në dy rajone kryesore të vendit tonë, në rajonin Krumë-Kukës-Lurë (pjesa verilindore) dhe rajonin e Bilishtit (pjesa juglindore).

Shfaqje të kufizuara në trajtë thjerrëzash të vogla dhe me trashësi të kufizuar njihen edhe në rajonin Librazhd-Pogradec (pjesa qendrore), në vendburimet Bushtricë-Skroskë e Çervenakë. Vendburimet e nikelit silikat kanë përmasa të konsiderueshme.

Mineralizimet magmatike të Ni-Cu sulfur dhe EGP mineralizime që përgjithësisht lokalizohen në sekuencat dunit-verlit- piroksenit, gabro etj., si në zonën e Krastës (masivi i Bulqizës), në shliret dunitike midis troktoliteve, si dhe në vetë troktolitet si në Qafë Dardhë, Kurdari, Patin, Cërrujë, Krastë, Hotolisht dhe zonën kalimtare nga sekuenca mantelore në atë kumulate ku ndeshen mineralizime sulfure të Ni-Cu me EGP e Au në pjesën perëndimore të masivit të Bulqizës, si në Lumth, Ulëz, Vrith.

Rajoni i Kukësit ku, mineralizimi i nikelit silikat përhapet nga Vlahna në veri, deri në Trull Surroj në jug, zhvillohet mbi shkëmbinjtë ultrabazikë të ndryshuar të masivit të Kukësit dhe mbulohen nga gëlqerorët e shtresëzuar të Kretakut.

Në pjesët më të poshtme të lateriteve ndodhen shkëmbinjtë ultrabazikë, kryesisht peridotite pak të ndryshuara, që në pjesët me të sipërme kalojnë në peridotite të ndryshuara, kryesisht të silicizuara dhe karbonatizuara. Mbi peridotitet e ndryshuara, vendoset një horizont që i përket formacionit xeheror të nikelit silikat, i cili përbën pjesën më të poshtme të lateriteve.

Ai dallohet nga përmbajtje e ngritur e Ni 0.6-2.6%, në pjesën më të madhe 0.9-1.4%, kobaltit 0.03-0.15% dhe e hekurit që arrin në 24 %. Mbi xeherorët e nikelit silikat shtrihen xeherorët e hekur-nikel-kobaltit me trashësi nga 0-4 m.

Rajoni i Bilishtit ndodhet në juglindje të Shqipërisë. Në këtë rajon, lateritet kanë zhvillim të konsiderueshëm. Takohet një numër i madh vendburimesh si Bitincka, Kokogllava, Strana, Kapshtica, të cilat janë vazhdim i njëra-tjetrës dhe shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 60 km2.

Trupat xeherore të hekur-nikelit dhe nikel-silikatit kanë formë të përgjithshme shtresore të lidhur me vetë kushtet e formimit të vendburimit lateritik e tipit mbulesor të mbetur në vend ose të transportuar (zhvendosur) brenda ambientit ku u formua.

Trupi i hekur-nikelit vendoset nën depozitimet e ocenit me trashësi 2-8 m, mesatarisht 4 m, me trashësi maksimale 28 m të përfaqësuar nga gëlqerorët pllakorë e mergele hekuror me të cilat formon kontakte të prera e të qarta.

Trupi i nikel- silikatit vendoset si rregull nën mineralin e hekur-nikelit me trashësi 3-8 m, mesatarisht 4.6 m, me trashësi maksimale 20 m në pjesët e thella me kontakte në përgjithësi të prerë, por të valëzuar. Në pjesën e poshtme kontakton me serpentinitet e ndryshuar me kalime graduale që përcaktohen kimikisht.

Depozitimet e mineraleve të nikelit vlerësohen të jenë rreth 310 Mt dhe janë të shpërndara në tre rajone kryesore Kukësi, Librazhd-Pogradec dhe Devolli. Sipas të dhënave të institucioneve minerare, burimet e hekur-nikelit vlerësohen të jenë 222 milionë tonë, me përmbajtje mesatare 33-43% Fe dhe 0,75-1% Ni, burimet e nikel-silikatit vlerësohen të jenë 103 milionë tonë me përmbajtje mesatare 17-23% Fe dhe 0,95-1,3% Ni, SiO2 32 – 36, 92%; Co- 0,043-0,06% dhe burimet totale minerale vlerësohen të jenë rreth 310 Mt, me një përmbajtje mesatare 43,8% Fe, 1,01% Ni, 0,063% Co.

Krahasuar me vendburimet e tjera lateritike të nikelit në botë, vendburimet shqiptare të nikelit janë të vogla deri në mesatare, me përmbajtje relativisht të ulët. Xeherorët e nikelit janë dy llojesh: mineral limonitik (i quajtur mineral Fe-Ni) dhe mineral saprolit-garnierit (i quajtur mineral Ni-Si).

Institucionet minerare kanë realizuar disa klasifikime sipas ICR (Klasifikimi Ndërkombëtar i Rezervave) dhe për këtë janë përdorur materialet gjeologjike, dokumentacioni dhe punimet e përgjithësimit të depozitimeve të tre baseneve kryesore Përrenjas-Librazhd, Devolli dhe Kukës, projektidetë. (studime parafizibiliteti) të hapjes dhe shfrytëzimit të minierës, studime të ndryshme, projekte dhe të dhëna nga referencat botërore. Indekset e përdorura për përcaktimin përgatitor të vlerave të koeficientëve në boshtin ekonomik janë marrë nga vlerat aktuale dhe të pritshme të çmimeve të ekuilibrit në tregun ndërkombëtar.

Për depozitime të ndryshme, janë hartuar diagramet (lakoret) e marrëdhënieve sasi-cilësi, nga të cilat mund të përcaktohet, sipas situatës së tregut (çmim-kërkesë), në mënyrë të pranueshme sasia e rezervave të një shkalle (përmbajtjeje) të Ni ose Fe e përgatitore e përcaktuar.

Për depozitat e tjera, vlerësimi i fizibilitetit dhe ekonomik është kryer me modele përafrimi matematikore brenda kufijve të saktësisë së një studimi parafizibiliteti (vlerësuar në boshtin F me indeksin 2).

Nga llogaritjet rezulton se për të rritur klasën e indeksit gjeologjik të rezervave është e nevojshme të kryhen punime shtesë për saktësimin e sasisë (sasisë) dhe përmbajtjes (gradimit) të tyre. I njëjti përfundim mund të nxirret edhe për studimet e ndryshme me karakter teknologjik lidhur me përfitimin, përpunimin dhe përcaktimin e indekseve tekniko-teknologjike sa më reale, si dhe studimet e fizibilitetit për fitimin ekonomik.

E rëndësishme sot është që informacioni bazë në lidhje me gjeologjinë, rezervat minerale të përditësuara të xeherorëve të hekur-nikelit dhe nikelit silikat duhet të bazohet në sistemet e klasifikimit ndërkombëtar të rezervave të pranuara gjerësisht si Klasifikimi Kuadër i Kombeve të Bashkuara për Rezervat/Resurset; Klasifikimi USBM (United States Bureau of Mine)-USGS (United State Geological Survey);

Klasifikimi CIM Kanadez-Instrumenti Kombëtar 43-101 (NI43-101); Kodi i Komitetit të Përbashkët të Rezervave Australiane (vlerësimi i burimeve në përputhje me kodin JORC 2004), i cili përdoret më së shumti tani për vlerësimin gjeologjik të rezervave tona minerale.

Kjo punë duhet të realizohet për të gjitha burimet ekzistuese, edhe për ato të rejat nevojiten modele të reja gjeologjike të bazuara në të dhënat ekzistuese dhe ato të mbledhura rishtazi për të përmbushur standardin e raportimit sipas JORC, modeli gjeologjik duhet të përfshijë vendosjen strukturore, pozicionimin 3D të trupave xeherorë dhe lidhjen e trupave xeherorë me topografinë.

Kjo mund të shërbejë si një element kyç në tërheqjen e investitorëve në këtë sektor.

Shfrytëzimi i xeherorëve të Fe-Ni dhe Ni-Si në Shqipëri

Për këto lloj mineralesh janë përdorur metoda të ndryshme për shfrytëzimin në qiell të hapur (karrierat), po ashtu dhe minierat që kanë përdorur sistemin e shfrytëzimit dhomë -kollonë. Në përgjithësi, të gjithë trupat xeherorë kanë një trashësi mesatare 8-10 m dhe një kënd zhytjeje 10-20 gradë, maksimumi 35 gradë.

Kontakti i trupit xeheror me pjesën e sipërme, i cili përfaqësohet nga gëlqerorët, është përgjithësisht i qartë dhe i prerë, ndërsa kontakti me shkëmbinjtë e pjesës së poshtme, të ndryshuar ultrabazikë, në shumicën e rasteve është gradual.

Kukësi dhe Devolli i kanë të dyja shtresat e Fe-Ni dhe Ni-Si pothuajse në të njëjtën trashësi, në Librazhd-Pogradec Ni-Si është me trashësi të vogël dhe në disa vendburime nuk ekziston.

Prodhimi i mineraleve të Fe-Ni filloi në vitin 1958, në Librazhd-Pogradec, nga miniera e Bitinckës në Devoll nisi në vitin 1980 dhe nga rajoni i Kukësit pas vitit 2000. Deri tani (1958-2023) janë shfrytëzuar 25 240 644 më pak se 8% e rezervave të vlerësuara të Fe-Ni dhe Ni-Si.

Ky mineral, së bashku me titano-magnetitin, mund dhe duhet të jenë mineralet më të rëndësishme për sektorin minerar shqiptar në të ardhmen.

Përpunimi i xeherorëve të Fe-Ni dhe Ni-Si në Shqipëri

Industria e nikelit ka përjetuar ndryshime të konsiderueshme në vitet e fundit, kryesisht nga vendimet e marra nga lojtarët me ndikim të lartë të ofertës si Indonezia dhe Filipinet. Kërkesa globale për nikel është ende shumë e varur nga Kina.

Ana e ofertës po përballet me shqetësime rreth zbulimeve në rënie të xeherorëve sulfure të nikelit, ndërkohë që çmimet e nikelit jo rrallë ndikohen nga fluktuacione jo normale të tregut.

Në Shqipëri, para vitit 1990, aktivitetet minerare dhe përpunuese janë zhvilluar kryesisht në zonën Librazhd, Përrenjas, Pogradec dhe më pak në Bitinckë.

Trajtimi i xeherorëve përfshinte pasurimin gravimetrik në impiantet e përpunimit të Përrenjasit dhe Gurit të Kuq (Pogradec) që përdorej për heqjen e mineraleve të varfërimit gjatë shfrytëzimit minerar dhe më pas është trajtuar në metalurgjinë e Elbasanit ku prodhohej vetëm gizë dhe çelik.

Një fabrikë e përpunimit të nikelit me proces hidrometalurgjik (sipas procesit CARON) përfundoi në Elbasan, filloi punë me rezultate jo të mira dhe më pas në vitet ‘90 u shkatërrua plotësisht.

Testime të ndryshme janë bërë në vite për prodhimin e produktit ose gjysmëprodukteve të nikelit me metoda hidrometalurgjike (1984), metodën pirometalurgjike (1996), dhe së fundmi nga disa kompani private me metodat e lishivimit, të cilat nxjerrin apo kanë pasur rezultate premtuese, me kosto efektive, nëse kombinohen me prodhimin e acidit sulfurik nga mbetjet e fabrikave të pasurimit të bakrit.

PAL është procesi hidrometalurgjik më i zakonshëm për lateritet me përmbajtje të ulët, zbatohet për limonitin dhe mineralet e përziera limonit/saprolit me një përmbajtje magnezi deri në rreth 5% Mg, ndaj kjo kërkon aplikimin e kësaj metode në një përzierje të dy mineraleve Fe-Ni dhe Ni-Si që kanë përmbajtje të ndryshme të MgO.

Fakti që kemi të dy shtresat bashkë me një shfrytëzim selektiv të tyre, duke përdorur sisteme efektive të shfrytëzimit ose kombinim të tyre (kombinim me sistemet me mbushje) mund të arrihen rezultate premtuese për shfrytëzimin e përpunimin e këtyre xeherorëve nëpërmjet kësaj metode.

Një vendim i rëndësishëm për përpunimin e nikelit është se cili version i procesit hidrometalurgjik do të përdoret për dy parametrat kryesorë të lishivimit presionit dhe temperaturës (ATL-lishivimi atmosferik, LPAL- lishivimi me presion të ulët, HPAL- lishivimi me presion të lartë) apo kombinim i tyre.

Testet laboratorike dhe ato në impiant pilot të përdorura treguan që një kompleks i përpunimit të nikelit mund të përdorë, në mënyrë efektive, mbetjet e bakrit për prodhimin e acidit sulfurik si element për një kosto efektive.

Impiantet e kompleksit do të përbëhen nga tre seksione kryesore të procesit, Prodhimi i Acidit Sulfurik (pjekje koncentratit të piritit për prodhim të gazit SO2;

Rikuperimi i bakrit, arit, nga mbetjet e impiantit të djegies së piritit (mbetje e ngurtë pas pjekjes së piritit që përmban ar, argjend, zink, bakër të rikuperueshëm, një produkt hekuri i shitshëm) dhe Lishivimi i Lateritit me acid sulfurik për prodhimin e produkteve të nikel-kobalt.

Produktet të prodhimit janë Acidi Sulfurik, Hidroksid i Përzier i nikelit, NiSO4 MnCO 3 CoCO 3, Bakri Katodik, Au, Ag, me një rikuperim të përgjithshëm Ni në më shumë se 82%. Procesi i pjekjes së piritit që është shumë ekzotermik mund të shërbejë për prodhimin e avullit dhe prodhimin e energjisë.

Niveli i shfrytëzimit të xeherorëve të nikelit në Shqipëri në këto vite ka variuar në nivelin 0-2-0,5 milion ton/vit dhe gjithçka varet nga metalurgjitë rajonale të përpunimit, ai është pothuajse pa një kontribut real në sektorin minerar të Shqipërisë, dhe aq më tepër në ekonominë shqiptare. Ideja e një kompleksi fabrikash të përpunimit të nikelit, duke adoptuar një përpunim të integruar të nikelit laterit (për produktet Ni-Sulfate – NiSO4, CoCO3, MnCO3) do të bëjë të realizueshme përpunimin në të dy zonat kryesore, atë të Shqipërisë veriore dhe atë juglindore.

Duke vlerësuar kërkesat në rritje të produkteve të nikelit në Europë dhe globalisht (Tregu i nikelit pritet të regjistrojë rritje të konsiderueshme për shkak të nevojave të plotësimit të kërkesës për automjetet elektrike, përdorimi i nikelit dhe kobaltit në prodhimin e materialeve katodë të baterive të gjeneratës së ardhshme, teknologjitë e energjisë së pastër, drejtimi drejt ekonomisë së gjelbër të vendeve kryesore të botës, kërkesa për aplikime të veshjeve të sipërfaqeve të detaleve të ndryshme; industria kimike, e të tjera), promovimi i këtij minerali për tërheqje të investitorëve në objektet aktuale dhe mbështetjen e tyre drejt përpunimit, nevoja për një vizion të qartë me objektiva realë që duhet të shoqërohet me një plan veprimi real nga politikëbërësit dhe kompanitë do të përcaktojë, nëse ky mineral mund të shërbejë si një mundësi jetike për tranzicionin për një energji të pastër, apo një pengesë në këtë proces zhvillimi.

Ka ardhur koha që të shtojmë përpjekjet tona në rrugën e përpunimit të këtij minerali në vend të paktën si gjysmëprodukt për trajtim të mëtejshëm me 20-50% Ni, për të qenë të pavarur nga objekte metalurgjike rajonale që gjithsesi diktojnë aktualisht çmimet dhe sasinë e prodhimit të nikelit shqiptar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sektori që shënoi rritje gjatë pandemisë

“Mungon krahu i punës, pagat mbi 1 mijë euro!”

Koncesionet dhe ndërtimi më fitimprurës!

200 kompanitë me fitime më të mëdha në vend

Ish-ministri i Brendshëm flet mbi kanabisin mjekësor

“Projekti mbart riskun e devijimit të prodhimit drejt tregut kriminal”