MENU
klinika

Shansi i artë i Rusisë

Një aleancë e re gjermane po lind dhe Putin po “fërkon duart”

25.10.2023 - 11:52

Një front i kuq dhe kaf po shfaqet në horizontin politik në Gjermani, 100 vjet pas krizës së Republikës së Vajmarit dhe 90 vjet pas emërimit të Hitlerit si kancelar.

E krijuar nga një ndarje nga post-komunistët e Die Linke, Shoqata Sahra Wagenknecht-Për Arsye dhe Drejtësi (BSW) mund të bashkojë të majtën ekstreme dhe të djathtën radikale.

Një bashkim në hijen e Kremlinit, të cilit i afrohen edhe e majta maksimaliste edhe e djathta ekstreme në Gjermani.

BSW mban emrin e themelueses së saj Sahra Wagenknecht, ish-anëtare e Die Linke në Bundestag. Me nëntë shokë të tjerë “pasionaria” e postkomunistëve u largua nga partia me shumë polemika.

Sipas Wagenknecht, Die Linke tradhtoi votuesit e saj, duke braktisur klasën punëtore për t’u bërë një klikë intelektualësh. Për BSW, veprimi i kancelarit Olaf Scholz duhet të ndalet, sepse “nuk mund të vazhdojmë kështu”.

Ndërkohë, bashkë-presidentët e Die Linke, Janine Wissler dhe Martin Schirdewan, akuzuan Wagenknecht-in për devijim nga linja partiake, egocentrizëm dhe papërgjegjshmëri.

Me ndjekësit e saj, “Sahra e kuqe” do të përjashtohet nga Die Linke. Pas hezitimeve, Die Linke dënoi agresionin rus, ndërsa Wagenknecht përqafoi një pacifizëm instrumental që maskon armiqësinë klasike të ekstremit të majtë ndaj NATO-s si dhe nostalgjinë e saj për bllokun sovjetik.

Kjo “sallatë frutash” kuq e zi gjermane është një pjatë tërheqëse për Kremlinin, i angazhuar për destabilizimin e Evropës.

Planet e Rusisë për të krijuar një aleancë mes ekstremistëve në Gjermani janë zbuluar nga “Washington Post”, bazuar në dokumente nga një shërbim inteligjent evropian. Qëllimi është gjithmonë ai i luftës hibride: destabilizimi përmes ndërhyrjes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN