MENU
klinika

Njoftimi i policisë

Operacioni “Tempulli”, arrestohen në Mat dy shpërndarësit e drogës

07.10.2023 - 10:27

Në vijim të operacionit “Tempulli” janë arrestuar Xhesildo Canameti dhe Erald Kola.Të rinjtë shisnin drogë përreth shkollave të Burrelit.

“Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në afërsi të çdo shkolle në territorin e qarkut, me qëllim zbatimin e Paketës së Sigurisë në shkolla dhe parandalimin e depërtimit të krimeve, në këto ambiente, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Dibër, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, goditën një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të këtyre ambienteve.

Shërbimet e Policisë arrestuan shtetasit Xh.C., 24 vjeç; E.K., 31 vjeç, (i dënuar më parë për veprën penale ‘Falsifikimi i monedhave’), të dy banues në Burrel.

Këta shtetas u kapën në dy vende të ndryshme të qytetit të Burrelit, ku 24-vjeçarit, i’u gjet e fshehur në mjetin e tij një sasi lënde narkotike e ndarë në qese, ndërsa 31-vjeçarit, i’u gjet e fshehur brenda një ndërtese të vjetër një sasi tjetër lënde narkotike, të cilën e kishte amballazuar në dy kavanozë qelqi. Këta shtetas e kishin ndarë lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj, në afërsi të shkollave.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.”-njofton policia.