Në tetë muajt e parë të këtij vitit, energjia e prodhuar në vend arriti në 6.2 milionë megavat. Në raport me vitin 2022, janë 1.6 milionë megavat më shumë, të gjeneruar falë situatës së mirë klimatike me reshjet që ranë në fund të vitit 2022.
Kaskada e Drinit, e cila menaxhohet nga KESH, ka qenë burimi kryesor i prodhimit me më 60% të sasisë, ndërkohë HEC-et private dhe burimet alternative prodhuan 40 për qind.
Ajo që vihet re në 8-mujorin e parë, është minimizimi i humbjeve në rrjet. Në këtë periudhë energjia e shkuar dëm ishte në nivelin 19%.
Me Fierzën që kapi kuota maksimale historike, në nivele të qendrueshme mbi 290 metra për të gjithë pjesën e vitit, energjia e prodhuar arriti të mbulojë nevojat vendase, duke eliminuar blerjet jashtë vendit.
Por, kjo situatë ka nisur të përmbyset pas muajit shtator, ku KESH po blen në treg të huaj, e me sasinë dhe çmimet aktuale, po shpenzon rreth 5 milionë euro në javë.