Imagjinoni sikur SHBA-ja të mos jetë më në gjendje, ose thjesht të mos dojë të ofrojë një ndihmë të mëtejshme për Ukrainën. Ky mund të mos jetë rezultati më i mundshëm, duke pasur parasysh se në Uashington mbetet ende mbështetja dypartiake për këtë ndihmë.
Por është një skenar i besueshëm, duke pasur parasysh se Kongresi ishte në gjendje ta shmangte mbylljen e shërbimeve qeveritare vetëm duke i braktisur, të paktën për momentin, përpjekjet për të plotësuar ndihmën që po pakësohej me shpejtësi për Kievin.
Padyshim politika në përkrahje të Ukrainës po bëhet më e vështirë, pasi po lëkundet mbështetja e Partisë Republikane, neo-izolacionistët e linjës së ashpër po e sulmojnë ashpër kryetarin e Kongresit, dhe pretendentët kryesorë për nominimin presidencial në radhët e republikanëve, po marrin pozicione që janë skeptike ndaj ndihmës që po i jepet Ukrainës ose më keq akoma.
Pra çfarë do të ndodhë, nëse administrata e presidentit Xho Bajden e gjen veten të penguar gjatë zgjedhjeve të vitit të ardhshëm?
Së pari, ekuilibri në fushën e betejës do të ndryshojë ndjeshëm. Ukraina nuk do të dorëzohet, sepse në rrezik është vetë ekzistenca e saj, dhe forcat e saj kanë luftuar shumë mirë për t’u mposhtur tani nga hordhitë e presidentit rus Vladimir Putin.
Por duke pasur parasysh se sa e varur është Ukraina nga armët dhe municionet e dërguara nga Pentagoni, situata e saj do të vazhdojë të jetë gjithnjë e më e zymtë. Dhe në një skenar të tillë, mos prisni një ofensivë të madhe gjatë vitit 2024. Kievi do të duhet të shtërngojë dhëmbët për të mbajtur nën kontroll atë që ka tani.
Por edhe mbrojtja do të bëhet më e vështirë. Ukraina do të ketë mungesa të theksuara mbrojtjes ajrore dhe raketore gjatë dimrit të ardhshëm, në një kohë që Rusia po i shton përpjekjet e saj për ta ngrirë së ftohti popullsinë e këtij vendi duke ia shkatërruar infrastrukturën energjetike.
Dhe në një luftë ku artileria ka më shumë rëndësi, një mungesë në këtë aftësi mund të ketë një ndikim real në vijat e frontit, siç ndodhi kur forcat ukrainase e panë veten të paarmatosura gjatë ofensivës lindore të Rusisë në fund të pranverës dhe në fillim të verës së vitit 2022.
Vende të tjera perëndimore do të përpiqen të kompensojnë zvogëlimin e ndihmës së SHBA-së. Koreja e Jugut, Britania e Madhe dhe shumë vende evropiane kanë dhënë tashmë kontribute jetike. Megjithatë, edhe nëse këto vende mund t’i ofrojnë Ukrainës më shumë para, ato thjesht nuk kanë mjaftueshëm furnizime ushtarake që i nevojiten Kievit në periudhën nga tani deri në vitin 2025.
Atëherë në rastin më të mirë, një tërheqje e SHBA-së do ta lërë Ukrainën në një ngërç brutal në territorin e saj. Në rastin më të keq, do të shkaktojë një erozion gradual që do ta detyronte Kievin të kërkonte paqen me Rusinë me kushte të pafavorshme. Implikimet psikologjike dhe diplomatike do të jenë po aq të dëmshme.
Vendet bëjnë luftë dhe paqe, në bazë të pritshmërive të tyre për të ardhmen. Nëse Putin arrin në përfundimin se do të ketë më pak mbështetje të SHBA-së për Kievin në të ardhmen, teoria e tij e fitores – se tek e fundit ai mund ta shtypë Ukrainën duke i përçarë përkrahësit e saj perëndimorë – do të duket e justifikuar.
Ai do të ketë edhe më pak nxitje për të arritur një paqe për të qënë. Nga ana e saj Ukraina do të përballet me prova të qarta se koha nuk është në anën e saj. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të përballet me një zgjedhje të vështirë nëse do të arrijë një marrëveshje me një Putin të forcuar, apo do të luftojë teksa balanca e burimeve kthehet në favor të Rusisë.
Sigurisht, lufta në Ukrainë nuk ka qenë kurrë vetëm për Ukrainën. Që nga dita e parë, ajo ka qenë një provë force midis atyre që mbrojnë dhe atyre që synojnë ta shkatërrojnë rendin ndërkombëtar ekzistues. Ndaj një rënie e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën do të ketë po ashtu pasoja globale.
Vendet që shpresojnë se SHBA-ja do të luftojë për t’i mbrojtur kundër agresionit kinez, duhet të marrin parasysh faktin se Uashingtoni nuk do të ndihmojë as një vend tjetër të mbrohet kundër një Rusie shumë më të dobët. Në këtë rast do të duket sikur konfirmohet teza që e motivon Pekinin dhe Moskën, sipas së cilës demokracitë janë dekadente, jofunksionale dhe që shpërqendrohen lehtësisht.
Prisni që Putin dhe presidenti i Kinës Xi Jinping ta shndërrojnë këtë qasje në diplomacinë e tyre ndaj aleatëve të SHBA-së. Atyre do t`u thuhet vazhdimisht: Amerikanët do t’ju inkurajojnë të luftoni për ukrainasin apo afganin e fundit, dhe në fund do t’ju braktisin.
Të vetë-quajturit “realistët” në Perëndim, mund të argumentojnë se një ndërprerje e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën do të jetë një bekim, sepse kjo do ta lejojë Uashingtonin të fokusohet në mënyrë të veçantë tek kërcënimi kinez ndaj Tajvanit. Por unë them që ta lini mënjanë për një moment, absurditetin e argumentimit se mënyra më e mirë për të penguar agresionin e fuqive të mëdha në Paqësor, është ta bëni atë të mundur në Evropë.
Në rrafshin politik, është shumë e vështirë të përfytyrosh një skenar në të cilin SHBA-ja nuk mund të mbledhë përkushtimin për të ndihmuar Ukrainën që të mbijetojë në një luftë të vërtetë, dhe më pas të kalojë disi në hije për t’u përgatitur për një luftë tjetër hipotetike.
Bajden dhe udhëheqësi i pakicës në Senat, Miç Mekonell e kuptojnë këtë, prandaj ata do të lobojnë sërish në javët në vijim për vazhdimin e ndihmës. Republikanët pro-ukrainas në Senat, të ndërgjegjshëm se votimet mbi këtë çështje nuk do të bëhen më të lehta vitin e ardhshëm, po flasin madje për kërkimin e një fondit të madh që synohet të ndihmojë Kievin deri në nëntorin të vitit 2024.
Perspektivat e tyre për sukses, në një mjedis politik në përkeqësim të vazhdueshëm, janë të pasigurta. Por pasojat e dështimit, në Ukrainë dhe në mbarë botën, parashikohen shumë lehtë.
Nga Hal Brands “Bloomberg”