Polakët janë turistët më dorështrënguar në Evropë, duke shpenzuar rreth 185 euro për person në vendet që vizitojnë për qëllime turistike, duke arritur në 7.2 miliardë euro në vitin 2022.
Të dhënat nga Organizata Botërore e Turizmit (UNTWO) tregojnë se shpenzimet e turizmit ndërkombëtar të polakëve kanë ndryshuar midis 2019-ës dhe 2022-it, duke treguar se pandemia COVID-19 ka ndikuar në dëshirën e kësaj kombësie për të shpenzuar për udhëtime jashtë vendit.
Në vitin 2019, nivelet e shpenzimeve për polakët ishin 8.8 miliardë euro, nga 9.1 miliardë euro të shpenzuara në 2018-ën, që ishte një shumë rekord e regjistruar midis 2011-ës dhe 2022-it. Destinacionet më të njohura për polakët janë Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Turqia dhe Kroacia.
Në 2023-shin statistikat treguan se Shqipërinë e vizituan 126,795 vizitorë polakë çka e bën vendin tonë një destinacion që ka ngjallur interes për ta.
Ndërkohë të dhënat e (UNTWO) tregojnë se grekët janë turistët e dytë më dorështrënguar në Evropë, me një shpenzim prej 193 euro për person kur udhëtojnë jashtë vendit, në total 1.9 miliardë euro të shpenzuara në vitin 2022. Ngjashëm me polakët, grekët kishin nivele më të larta shpenzimesh në vitin 2019 krahasuar me nivelet e vitit 2022, me shumat e shpenzimeve duke rënë nga 2.9 miliardë euro në 850 milionë euro në 2020 dhe duke arritur kulmin në 1.9 miliardë euro në 2022.
“Një tjetër gjë që grekët kanë të përbashkët me polakët është interesimi i tyre për të vizituar Shqipërinë. Ky vend është destinacioni i parë i jashtëm për shtetasit grekë që udhëtojnë jashtë vendit, i ndjekur nga Turqia, Italia, Bullgaria dhe Britania e Madhe, siç zbulon një raport nga Global Data’s Travel and Tourism në Greqi.”- shkruan gazeta kathimerini.
Edhe hungarezët, bullgarët dhe kroatët nuk pëlqejnë të shpenzojnë shumë kur udhëtojnë
Lista e vendeve evropiane me nivelet më të ulëta të shpenzimeve për turizmin jashtë vendit përmbyllet më tej me Hungarinë, Bullgarinë dhe Kroacinë. Turistët e këtyre tre vendeve në vitin 2022 kanë shpenzuar mesatarisht ndërmjet 236 dhe 374 euro gjatë udhëtimit jashtë vendit.
Në total, hungarezët kishin një shpenzim prej 2.2 miliardë euro, me 236 euro të shpenzuara për frymë, që tregon se një turist hungarez shpenzoi më pak se 250 euro kur udhëtonte për turizëm. Kombësia e tretë më e kursyer e Evropës pëlqen të vizitojë Kroacinë, Austrinë, Italinë, Rumaninë, si dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Bullgarët shpenzuan rreth 239 euro për frymë, ndërsa në total 1.5 miliardë euro u dolën nga buxheti kombëtar për qëllime turistike në vitin 2022. Në përgjithësi, bullgarët i kaluan pushimet e tyre në Greqi, Turqi, Rumani si dhe Hungari dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Kroatët, të cilët janë shumë të njohur me turizmin, duke numëruar çdo vit miliona turistë, shpenzuan gjithsej 1.4 miliardë euro në turizmin jashtë vendit të tyre për vitin 2022. Kjo tregon se janë shpenzuar 374 euro për frymë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për udhëtimet, kroatët duan të vizitojnë vende të tjera evropiane si Italia, me të cilën ka një afërsi gjeografike, Franca, Sllovenia, Austria dhe Gjermania.