MENU
klinika

Rusia dhe Kina po ndërtojnë bllokun e tyre

“Rruga Polare e Mëndafshit”, lindja e një rendi të ri global

21.10.2023 - 09:00

“Konfrontimi ideologjik, rivaliteti gjeopolitik dhe politika e bllokut nuk janë një opsion për ne”, tha presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin e tij në hapjen e forumit në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, një ngjarje që vulosi miqësinë e fortë midis Kinës dhe Rusisë, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Forumi “Brezi dhe Rruga” u fokusua në iniciativën e politikës së jashtme të Kinës dhe zgjerimin e ndikimit të saj global, kryesisht përmes projekteve të infrastrukturës.

Udhëheqësi kinez, kritik ndaj Perëndimit, e përdori momentin për të përshkruar vizionin e tij për rendin global ndërsa bota po përballet me luftën në Ukrainë dhe krizën në Gaza. Rolin qendror e luajti presidenti rus Vladimir Putin, i cili theksoi rëndësinë e partneritetit të tyredhe fajësoi Shtetet e Bashkuara për tensionet në Lindjen e Mesme. Ai tha se konfliktet e vazhdueshme janë kërcënime të përbashkëta që forcojnë “marrëdhëniet ruso-kineze”.

Ja lëvizja e papritur në takimin e Putin-Xi Jinping që po

“Rruga Polare e Mëndafshit”

Deklarata e Xi në forum theksoi kundërshtimin e tyre ndaj “sanksioneve të njëanshme, detyrimit ekonomik dhe ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit”, veçanërisht përpjekjet e SHBA për të presionuar Kinën për çështjet që lidhen me tregtinë, teknologjinë dhe Tajvanin.

Mungesa e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian në konferencë, për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë, tregoi edhe një herë ndarjen gjeopolitike. Por eventi u ndoq nga 150 vende në zhvillim, duke reflektuar shkallën e nismës së Kinës “Brezi dhe Rruga”, e cila reflektohet në dhënien e kredive për ndërtimin e termocentraleve, porteve detare dhe infrastrukturës tjetër në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Siç shkruan britanikja “Express”, Kina dhe Rusia kanë rënë dakord që të krijojnë të ashtuquajturën “Rruga Polare e Mëndafshit”, me fokus Arktikun.

Kina po kërkon të përfshihet në “vendosjen e parametrave” në rajon. Në vitin 2003, ajo hapi një qendër kërkimore në Spitsbergen, Svalbard, që kryen duke kërkime mbi monitorimin e akullnajave dhe kushtet atmosferike.Gjatë 30 viteve të fundit, akulli i detit në Arktik është shkrirë me shpejtësi pasi ngrohja globale shkakton ndryshime klimatike. Rusia është një nga përfituesit më të mëdhenj në botë nga kjo, duke pasur parasysh se së shpejti do të ketë kanale hyrjeje në Detin Arktik, si dhe të drejtën e mundshme për të shpuar gjëra të tilla si nafta dhe gazi.

Aktualisht, 60 për qind e importeve të naftës të Kinës kalojnë përmes ngushticës së Malacca-s, kështu që rruga detare veriore mund të bëhet rruga alternative e përsosur për një mënyrë më të shpejtë, më të lehtë dhe më të lirë për të transportuar mallra nëpër botë.

Synimet e Kinës

Forumi i lejoi Putinit të paraqitej si mjeshtër i rendit global në mes të luftës, pavarësisht se Moska nuk ka lidhur asnjë marrëveshje të re kohët e fundit dhe të paktën është dukur e izoluar. Vizita e Putinit në Pekin rriti frikën se Kina dhe Rusia po punojnë për të ndërtuar bllokun e tyre të kombeve që mund të kundërshtojnë Perëndimin, shkruan BBC. Të dy vendet kundërshtuan publikisht “hegjemoninë amerikane” dhe bënë thirrje për zhvillimin e një “bote shumëpolare” me qendra të shumta pushteti.

Si Kina ashtu edhe Rusia, që janë përmbajtur nga dënimi i Hamasit për sulmet e tij ndaj Izraelit, kritikuan sulmet ajrore izraelite në Gaza dhe bënë thirrje për rinovimin e bisedimeve për një shtet palestinez. Qëndrimi i Kinës pasqyron ambicien e saj për të mbushur boshllëkun e lënë nga SHBA në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Afganistan. Në mars, Kina ndërmjetësoi një marrëveshje për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy rivalëve, Arabisë Saudite dhe Iranit. Pekini tani po ofron të ndërmjetësojë mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Por vërejtjet e fundit sinjalizojnë se Kina mund të mos dëshirojë më të qëndrojë neutrale për çështjen e konflikteve brenda vendit. Në të njëjtën kohë, ky qëndrim e ndihmon Kinën të largojë vëmendjen nga problemet në politikën e saj të brendshme, si shtypja e lirive në Hong Kong dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, dhe gjenocidi i ujgurëve në rajonin e Xinjiang.