MENU
klinika

A do të zbatohet propozimi europian?

SHBA dhe BE shtrëngojnë ‘lakun’ rreth Kosovës dhe Serbisë

18.10.2023 - 12:43

Përfaqësues të vendeve kryesore perëndimore, pritet të qëndrojnë të shtunën me 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve që pasuan sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të saj.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të martën se i dërguari i posaçëm i bllokut për bisedimet Kosovë – Serbi, Mirolslav Lajçak, këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, do të takohen të shtunën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Ai theksoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.

“Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”, tha zëdhënësi Stano. Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit. Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të martës se “procesi i dialogut duhet të rimendohet”, pas sulmit të 24 shtatorit, duke ritheksuar thirrjet e Prishtinës për sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN