MENU
klinika

Këngëtarja provon sërish

Shqipëria në “Eurovizion”/ Elsa Lila përballje me Luiz Ejllin?

16.10.2023 - 13:59

Elsa Lila do të provojë sërish për të përfaqësuar vendin tonë në “Eurovision”. Artistja e njohur konkurroi vitin e shkuar, ku edhe mori vendin e parë me votat e jurisë. Megjithatë, “Evita” nuk mundi të shkonte në “Eurovizion” prej votave të publikut.

Paralelisht me koncertin që do të mbajë në Pallatin e Kongreseve, këngëtarja po përgatitet edhe për konkurrimin e saj në “Fest 57”. Ajo do të synojë edhe njëherë vendin e parë, dhe kësaj radhe jo vetëm një trofe, por edhe biletën për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurosong”. Fitorja e vjetshme e Albina Kelmendit u pasua me shumë kontestime. Madje, në rrjet qarkulloi edhe fotoja e kupës së Elsa Lilës, të cilën nuk e kishte tërhequr pasi fitoi vendin e parë.

Elsa Lila zgjodhi një foto për të hedhur poshtë aludimet e disa portaleve, ku u tha se pas përfundimit të “Festivalit të Këngës”, këngëtarja nuk kishte pranuar të merrte kupën nga produksioni dhe si arsye u aludua zhgënjimi i saj për faktin që nuk do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2023”. Këngëtarja pozon në disa foto bashkë me të bijën, Evitën, së cilës i dedikohet kënga me të njëjtën emër.

Në duar, të dyja mbajnë trofeun. Elsa Lila u shpall fituese e çmimit të parë në “Festivalin e Këngës”, çmim i cili u dha nga juria profesioniste. “Evita” riktheu këngëtaren në skenën e festivalit pas 25 vitesh. Ndryshe nga tradita e mëparshme, ndonëse fitoi çmimin e parë, Elsa Lila nuk do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2023”. Për herë të parë, përfaqësuesi/ja u zgjodh me votat e publikut.

Në “Eurovision 2023”, Shqipëria u përfaqësua me këngën “Duje” e Albina Kelmendit, e cila shoqërohej nga familja e saj. Por, misioni i Elsa Lilës këtë vit duket edhe më i vështirë sesa vitin e shkuar. Kjo për faktin se zërat kanë pohuar se këtë vit do të jetë pjesë e Festivalit të RTSH-së edhe Luiz Ejlli. Në rrjet kanë nisur tashmë të qarkullojnë emrat e parë të konkurrentëve, ku nga burime, është mësuar se edhe Luizi po mbyll detajet e fundit për t’u bërë pjesë e garës.

Duke marrë parasysh popullaritetin dhe simpatinë që ai fiton te publiku, është e qartë që edhe pse jemi më shumë se 2 muaj larg garës, Luizi është padyshim një nga pretendenët për fitore. Kujtojmë se fituesi i Festivalit në RTSH është edhe përfaqësuesi i vendit tonë në “Eurosong”. Nëse do të vendosë të marrë pjesë dhe të dalë me fitore nga ky festival, kjo do të jetë hera e dytë për Luizin që merr pjesë në kompeticionin e muzikës evropiane.

Ishte viti 2006 kur ai konkurroi për herë të parë në këtë kompeticion, ku u përfaqësua me këngën “Zjarr e Ftohtë”, megjithatë rrugëtimi i tij në atë kohë nuk shkoi shumë mirë në renditjen përfundimtare. Por pas suksesit të vitit të fundit, pritshmëritë për të janë më të larta. Mbetet për t’u parë sesi do të shkojë historia këtë vit dhe nëse formula do të jetë sërish me votat e publikut, çfarë do të sillte padyshim një favorizim të këngëtarit, i cili aktualisht është ndër artistët më të pëlqyer në vendin tonë.

Karriera muzikore e Elsës do të jetë e përqendruar në vendin tonë për muajt në vijim, kjo për faktin se vetëm pak ditësh, ajo do të mbajë dhe një koncert të sajin në Tiranë. Koncerti do të titullohet “Finalmente, Elsa” dhe do të mbahet më 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve. Gjithçka do të jetë “live” dhe do të jetë i konceptuar me një program special muzikor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rikthehet në skenë pas arrestimit të bujshëm

Elsa Lila ka një mesazh pak ditë para “Festivalit të Këngës”

Pasi fitoi çmimin e parë në “Festivalin e Këngës”

Dirigjenti i Elsa Lilës del me akuzat e forta