Industria e bukurisë nuk ka qenë kurrë imune ndaj “ngacmimeve” të jashtme, por kohët e fundit duket sikur tendencat e grimit vijnë nga menutë. Pamjet e frymëzuara nga ushqimi apo pijet, si grimi latte, grimi i vajzës me domate që bëri namin në TikTok, make up-i luleshtrydhe ishin të gjitha prurjet që dominuan portretet e vajzave.
Sipas Nick Drewe, një ekspert tendencash në platformën e tregtisë elektronike WeThrift, hashtagu #lattemakeup ka grumbulluar 389.7 milionë shikime në TikTok, ndërsa kërkimet në Pinterest janë rritur me 2,800%. Ndërkohë, #tomatogirlmakeup ka grumbulluar 7.9 milionë shikime dhe kërkimet janë rritur me 290% në Google gjatë 12 muajve të fundit.
Tendencat e bukurisë në çdo kohë kanë bërë ciklin e tyre dhe kaq! Nuancat kafe dhe neutrale të përdorura në grimin latte janë vetëm një formë tjetër e grimit të supermodeleve të viteve ’90, ndërsa grimi-luleshtrydhe që skuq mollëzat e vajzave të kujton tendencat dominuese në vitet ’80. Shumë njerëz mendojnë se këto trende risjellin të kaluarën dhe kanë të drejtë. Këto tendenca janë “ripaketuar” me një ambalazh të ri për të dominuar në epokën e momentit: rrjetet sociale.
Sipas Drewe, suksesi viral i bukurisë së frymëzuar nga ushqimi ka kuptim. “Era, pamja dhe ndjesia e ushqimit është shpesh një burim frymëzimi për markat, pasi ato kërkojnë të përsërisin karakteristikat e një artikulli me të cilin shumë njerëz janë njohur dhe familjarizuar,” thotë ai.
Përdorimi i ushqimit për grimin nuk është një koncept i ri. Drewe thekson se ushqimi ka qenë i lidhur me bukurinë për dekada. “Shumë marka të famshme i janë referuar gjithmonë ushqimit brenda koleksioneve të tyre, nga produktet me temë çokollatën deri tek shkëlqyesit e buzëve me aromë frutash,” thotë ai. “I vetmi ndryshim në vitin 2023 është se influencuesit dhe manjatët e kozmetikës po bëjnë marketing dhe po përfitojnë nga tendencat.”