Zbardhet dëshmia në GJKKO e Zabit Çukut, ish-ushtarak që ishte mbikëqyrës në procesin e demontimit të armëve në Gërdec. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e tij në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Dëshmitari Zabit Çuku, ish-ushtarak në rezervë tha se kishte punuar për gati një muaj në Gërdec, si specialist demontimi. “Na ftoi Sokol Ngjeci për demontim. Na organizoi një takim me Delijorgjin. Ne do ishim si skuadra e sigurimit teknik. Unë kisha 6-8 veta nën mbikëqyrje”, tha dëshmitari.
Sipas Çukut, për punën në Gërdec nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë. “Rregullore me gojë për punën pati, por jo me shkrim”, tha dëshmitari. Në lidhje me ditën e ngjarjes, dëshmitari tha se kishte dëgjuar një zë gruaje “mori flakë” dhe gati 20-30 metër larg kishte parë tym të bardhë, që e kishte njohur si tym baruti. “I kërkova punëtorëve të iknin shpejt. U larguam për rreth 350 metra. Nga shpërthimi i dytë më ra një copë predhe në kokë, si edhe kam thyer këmbën”, tha dëshmitari. Për shkakun e shpërthimit, Çuku tha se pas ngjarjes kishte dëgjuar se ishte shkaktuar nga ndezja e barutit në karrocën e sapo salduar. Mes të tjerash ai vijoi të tregonte për ditën e tragjedisë, ndërsa shtoi se gabim ishte fakti që në vendngjarje ishte grumbulluar shumë barut. “Çdo ditë baruti grumbullohej në sheshin e madh. Pas kësaj kësaj faze largohej menjëherë. Atë dite u grumbullua shumë në sasi të madhe. U bë shumë. Dhe nuk u largua. Ai ishte gabimi i asaj ditë.”, tha ai.
Kujtojmë se në seancat gjyqësore për procesin ‘Gërdeci’, po thirren dëshmitarë, mes tyre edhe familjarë të viktimave. 15 vite pas shpërthimit të punishtes së demontimit të armëve në Gërdec, ish ministri Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadrin ushtarak komandues.