Valbona Musliu, vajza e gazetarit Fahri Musliu ka reaguar ashpër në lidhje me pretendimet e bëra së fundmi, duke aluduar se gazetari Musliu është babai biologjik i presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Musliu ka reaguar kundër një shkrimi të bërë nga Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani, ku ai ka kërkuar që Aleksandër Vuçiç të bëjë analizën e ADN-së bashkë me gazetarin Fahri Musliu.
Musliu tha se vetëm frikacakët, jo profesionistët, injorantët e të përdalët shkruajnë shkrime e më pas i fshijnë, duke shtuar se këto akuza vijojnë prej vitesh, por nuk e zbehin dot karrierën e babit të saj.
Reagimi i plotë:
Blerim Vela, para se te shkruash apo te komentosh mendo dy here. Ose shkruaj e mos fshi, ose mos shkruaj fare. Vetëm frikacaket, jo profesionistet, injorantet e te përdalët shkruajnë e me pas fshijnë…
E të guximshmit, profesionistet, e të moralshmit u qëndrojnë prapa shkrimeve, fjalëve, statuseve e komenteve.
Blerim Vela sikur të isha afër do të vendosja në peshore për me e matë peshën tënde me karrierën e Fahri Musliut. Po, po, do i vendosja në peshore edhe vitet e tua nëse janë 50-të, sa ka karriere Fahri Musliu, e besa do e peshoja edhe trurin tënd e intelektin. Mirë që nuk jam afër, dhe nuk kam mundësi, sepse do të peshoja edhe me librat e shkruar, analizat, e mos tëflas për raportet, intervistat e të tjera pune gazetareske të Fahriut….e mos ta le anash edukatën familjare, dhe sa do kisha dashur që një bagazh i tillë i një intelektuali, e mbi të gjitha një njeriu qe s’ka lëpirë në pjata të huaja e as në këpucët e huaja, të ishte në institucionin qe ti edhe përfaqëson sot Blerim.
Vela, a ke harruar apo fare nuk ke pas dijeni se institucioni ku ti merr rrogë përfaqëson popullin e Kosovës, dhe aty je në shërbim, e nuk je në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Nëse je bash- bash i interesuar për ADN-në e Fahri Musliut të ftoj në shtëpi të marrish monstrën, por paraprakisht përgatitu profesionalisht, sepse nuk je në kabinet të Presidentit/es. Lexova qe je vet bashkëshort e baba dhe nuk e di para se të shkruash a ke menduar për njollosjen e familjes Musliu? A ke menduar se Fahriu e ka bashkëshorten , katër vajza dhe gjashtë nipa e mbesa? Dhe jo vetëm kaq. Sigurisht se JO, sepse përtej zyrës e kolltukut nuk sheh më larg. A mendoni për dhunën psikologjike e emocionale qe u shkaktoni familjarëve, në mos Fahriut, i cili tash e nëntë vite po “kryqëzohet” nga mediat, me saktësisht nga “kolegët” e vet, e së fundmi edhe nga njerëz si Ty që përfaqëson një institucion shumë të rëndësishëm të Republikës së Kosovës. Blerim, njolla jote, e as e dhjetëra mediave që po e shpërndajnë lajmin tash e gati dhjetë vite, nuk e zbeh as fytyrën e as karrierën e Fahriut, sepse e ka ndërtuar me shumë punë, mund e sakrificë. Në fund dhe jo më pak të rëndësishme do e potencoja mënyrën tuaj të komunikimit qe është për keqardhje!