MENU
klinika

Përplasjet në Kryesi

Bardhi i vendosur: Nuk do lejojmë zhvillimin normal të parlamentit

01.11.2023 - 18:19

Gazment Bardhi tha se deputetët e opozitës janë të vendosur që mos të lejojnë zhvillimin normal të parlamentit.

Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se sot kishte 100 forca të gardës që kanë marrë në mbrojtje deputetët e PS-së.

“Është një reagim i detyruar, i nxitur nga një sjellje e paprecedentë e mazhorancës socialiste që i ka mbyllur opozitës çdo rrugë institucionale në Kuvendin e Shqipërisë.

Do duhet të respektohet e drejta kushtetuese e deputetëve të opozitës për llogaridhënie të qeverisë.

Së dyti ka të bëjë me vijimin e një detyrimi që rrjedh nga disa raporte të OSBE-ODIHR që lidhen me reformën zgjedhore.

Kemi bërë propozimet tona për përbërjen e komisionit dhe mazhoranca do duhet të respektojë kërkesën e opozitës që të përfaqësohen në komisionin e posaçëm me ato kolegë deputetë që ne dëshirojmë të na përfaqësojnë.

Së treti ka të bëjë me një tallje apo ndërhyrje të vazhdueshme që kryetarja e Parlamentit bën me urdhër politik të Edi Ramës në punët e grupit parlamentar të PD.

Se kush është grupi parlamentar i PD dhe si rregullohemi në organizimin tonë të brendshëm kjo s’është punë as e Edi Ramës, as e kukullës së tij, që është kthyer në një manekin dhe riprodhon porositë e Edi Ramës.

Derisa opozitës t’i respektohen të drejtat e saj, dhe mazhoranca ta harrojë që do kryejë veprimtari normale. Mund të sjellin 200-300 forca të gardës herën tjetër.

Nëse kryetarja e Kuvendit duhet të mbushë korridoret me punonjës garde për të dhunuar deputetët e opozitës do duhet të presë pasojat”, tha Bardhi.