Zbërthimet e komunikimeve “Sky” lidhën 11 persona mes policisë krimit dhe ish zyrtarëve të lartë në trafik droge, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.
Por asnjë prej prestarëve nuk ishte një emër i panjohur. Figura qendrore është Ervin Mata, i dyshuar si koka e trafikut të kokainës nga Kolumbia, Ekuadori e vende të tjera të Amerikës Lindore drejt Evropës. Në komunikime del se në këtë aktivitet i është bashkuar edhe i kunati Eraldi Breçani, djali i ish zëvendësdrejtorit të policisë Tiranë. Të dy nuk mundën dot të arrestohen ndërkohë që Erzen Breçani ra në pranga me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit dhe pastrimit të parave.
Top Channel mëson se Breçani ishte informuar për aktivitetin e paligjshëm të të birit për të cilin pavarësisht se nuk ishte dakord i kishte marrë shuma të konsiderueshme parash për t’i investuar në vepra energjetike. Dyshime se është i implikuar në trafik ka dhe për shefin e krimeve të komisariatit nr.6, Dedan Gjoni.
Nga ana tjetër Gjoni ka shfrytëzuar pozicionin e punës në polici për tu ardhur në ndihmë 2 anëtarëve të tjerë të grupit Ismail Zeneli dhe Bujar Ajeti, të cilët donin të kryenin vrasjen e 2 vëllezërve për hakmarrje pasi ata kishin vrarë një person në vitin 2013.
Gjini dyshohet se ju jepte lëvizjet në TIMS të nënës dhe motrës së vëllezërve. Zeneli ka rekorde të mëparshme në trafikun e drogës ndërsa Ajeti, i njohur dhe me mbiemrin Gërmizi ka qenë i arrestuar më herët për grabitjen e një banke në Kukës në vitin 1999 ndërkohë që ishte vetë përgjegjës për sigurinë.
Gërmizi rezulton të ketë pasur lidhje dhe me Nuredin Dumanin pasi e ka ndihmuar këtë të fundit të kalojë kufirin për në Kosovë ndërkohë që ishte në kërkim.
Emër i njohur për drejtësinë është dhe Artan Sulejmani nga Mirdita pasi në shtator të vitit 2014 u arrestua në aksin Lezhë Kurbin së bashku me 6 të tjerë me dyshimin se ishin organizuar për të kryer një vrasje. Ndërsa Albert Prenga një vit më parë u arrestuar në kombinat për armëmbajtje./tch