Në çështjet e shëndetit mendor, “disformia” përshkruhet si një fiksim me pamjen e trupit, që ndikon në mënyrën si një individ e sheh veten. Njerëzit me çrregullime dismorfike trupore mund ta krahasojnë shpesh veten me të tjerët dhe të ndihen të pamjaftueshëm.
Ali Katz, një avokate e pasurive të paluajtshme, e sheh këtë si një fenomen të ngjashëm me botën e psikologjisë financiare. Pra, një gjendje në të cilën perceptimi i dikujt në lidhje me paratë nuk përputhet me realitetin. Ajo e quan këtë dukuri “dismorfia e parave”!
“Është një pikëpamje e shtrembëruar që kemi rreth parave dhe që na bën të marrim vendime të këqija,” thotë Katz. Një formë e zakonshme që ajo sheh te klientët është besimi se ata nuk janë mjaft të pasur për të bërë plane të rëndësishme për asetet e tyre. “Por, ky është një mendim i gabuar dhe potencialisht i dëmshëm,” thotë ajo.
“Mënyra sesi ky mendim ndikon në planifikimin ose investimin e pasurive është vendimtar. Sepse ju i thoni vetes gjithë kohës që nuk jam i pasur dhe kjo është e pavërtetë,” vijon ajo. Rreth 62% e popullsisë së botës jeton me më pak se 10 dollarë në ditë dhe 85% jetojnë me më pak se 30 dollarë, sipas Forumit Ekonomik Botëror.
“Ne jemi të pasur, por sigurisht që nuk e krahasojmë veten me Jeff Bezos dhe Elon Musk,” thotë Katz. Me fjalë të tjera, megjithëse mund të mos jeni miliarder, apo edhe të mos keni atë lloj jete që shihni në rrjete sociale, ka të ngjarë të keni asete në formën e parave cash, llogarive bankare ose sendeve të çmuara dhe çfarë zgjidhni të bëni me to është mjaft e rëndësishme.
Ju shpesh mund të ndryshoni të gjithë trajektoren socio-ekonomike për veten dhe familjen duke filluar me një gjë të thjeshtë, e cila automatikisht duke investuar bëhet edhe më fitimprurëse. Mund të investoni në pronë, mund të lini para në bankë kundrejt interesit e plot metoda të tjera.