MENU
klinika

Aferat në shëndetësi

Dënohet me burg ish-sekretarja e Manastirliut

13.11.2023 - 17:57

Zyrtarët e zhytur në aferë vijojnë t’i shpëtojnë dënimit maksimal duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar…
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite burg ish-sekretaren e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro.

Ajo u shpall fajtore për veprën penale të korrupsionit, por ashtu si shumë zyrtarë edhe ajo do të përfitojë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Duro do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.

Për ish-numrin dy të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, Prokuroria e Posaçme kërkoi 4 vjet heqje lirie nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Ndërsa për specialisten e nivelit të lartë, Laura Shteto SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim.

Vladimir Topi, administratori i kompanisë “Dricons” rrezikon 2 vjet burgim, nëse gjykata merr parasysh kërkesën e prokurorit, Dritan Prençi. Për inxhinierin, Silvi Shehi, organi i posaçëm i akuzës ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim. Të tre të pandehurit akuzohen për korrupsion aktiv.

Duro u arrestua bashkë me Sheton më 2 qershor 2023, pasi dyshohet se sekretarja e Shëndetësisë mori ryshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë ‘DRICONS’ në një tender të hapur nga Ministria për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës. Në agjencinë e prokurimit publik shihet se përkundër vlerës prej 805.872.23 lekë të vendosur si fond limit nga ministria për tenderin, kompania fituese ka ofruar 672.457.60 lekë.

Vladimir Topi dhe inxhinierin Silvi Shehi dyshohet se janë personat që ndërhynë duke i dhënë Joana Duros, 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për rikonstruktimin e qendrave shëndetësore. Fituesi i tenderit me fond limit 805 mijë lekë është shpallur në 1 qershor, ndërsa SPAK ka ndërhyrë në datën 2 qershor teksa u dha ryshfeti.

Prokuroria e Posaçme thotë se pas hetimeve, rezulton se ka qenë Vladimir Topi, i cili i ka dhënë Duros 330 mijë lekët që ta favorizonte në tenderin e hapur nga Ministria e Shëndetësisë. Sa i takon, inixhinerit të kompanisë, Silvi Shehi, ai ka marrë shumën prej 330 mijë lekë dhe ia ka dërguar Laura Shtetos, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

Shteto dhe inixhinieri i kompanisë ‘DRICONS’ kanë bërë lidhjen mes sekretares së Shëndetësisë dhe administratorit Vladimir Topi. Shteto pasi ka marrë lekët nga inxhinieri i kompanisë ‘DRICONS’, ia ka dërguar sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.