MENU
klinika

E godet me sëpatë në kokë!

E rëndë! 52-vjeçari tenton të vrasë një të ri në lokal

30.11.2023 - 12:51

Një 52-vjeçar ka tentuar të vrasë një 33-vjeçar në një lokal në lagjen nr. 4 në Kavajë, duke e goditur me sëpatë në kokë.

Raportohet se 33-vjeçari pasi ka marrë mjekim në spitalin e Durrësit, është dërguar tek Trauma për mjekim të specializuar.

Pas ngjarjes autori i dyshuar, 52-vjeçari Artur Petja është arrestuar nga policia. Dyshohet se ai e goditi të riun me sëpatë pas një konflikti për motive të dobta.

Gjithashtu e ka pësuar edhe pronari i lokalit, Elton Dedej, i cili akuzohet se ka përkrahur autorin, duke prishur vendin e ngjarjes dhe duke dhënë deklaratë të rreme.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. P., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lokalin në pronësi të shtetasit E. D., ka tentuar të vrasë shtetasin I. Gj., 33 vjeç, banues në Kavajë, duke e goditur me mjet prerës (sëpatë), në kokë. 33-vjeçari, pas mjekimit në spitalin e Durrësit, është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës, Tiranë”, raportuan uniformat blu.

Ndërkohë nisi procedimi në gjendje të lirë për 31 vjeçarin me iniciale A. D., banues në Kavajë, klient në këtë lokal, pasi edhe në celularin e tij gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.

Sëpata, celulari i pronarit të lokalit dhe i klientit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë:

Tentoi të vriste me mjet prerës (sëpatë), një 33-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një lokal, kapet dhe vihet në pranga 52-vjeçari.

Vihet në pranga dhe një 44-vjeçar (pronari i lokalit ku ndodhi konflikti), pasi ka përkrahur 52-vjeçarin, duke prishur vendin e ngjarjes dhe duke dhënë deklaratë të rreme. 44-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit.

Procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas që luante lojëra fati në lokalin që 44-vjeçari e kishte përshtatur për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Sekuestrohen mjeti prerës (sëpatë) dhe 2 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes 2 shtetasve, në një lokal, në lagjen nr. 4, Kavajë, kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. P., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lokalin në pronësi të shtetasit E. D., ka tentuar të vrasë shtetasin I. Gj., 33 vjeç, banues në Kavajë, duke e goditur me mjet prerës (sëpatë), në kokë. 33-vjeçari, pas mjekimit në spitalin e Durrësit, është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës, Tiranë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit

A. P.,, 52 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë

E. D., 44 vjeç, banues në Kavajë (pronari i lokalit ku ka ndodhur konflikti), për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Organizmi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Pas konfliktit në lokalin e tij, ky shtetas ka prishur vendin e ngjarjes, ndërsa kur është marrë në pyetje nga oficeri i Policisë, ka deklaruar se shtetasi I. Gj. ishte dëmtuar pasi ishte rrëzuar nga shkallët. Gjatë kontrollit në celularin e shtetasit E. D., shërbimet e Policisë kanë gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.

Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 31 vjeç, banues në Kavajë, klient në këtë lokal, pasi edhe në celularin e tij gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.

Mjeti prerës (sëpatë), celulari i shtetasit E. D. dhe i shtetasit A. D. janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.