MENU
klinika

Marrje e lejes së ndërtimit me mik?

Greqi: Investime të reja në kurriz të mjedisit?

02.11.2023 - 12:48

Një miliarder po ndërton një kompleks ngjitur me një fshat nën mbrojtjen e UNESCO-s. Dhëniet e lejeve të ndërtimit në raste të dyshimta si ky, janë të përhapura në Greqi.

“Largohuni prej këndej!”, bërtet prifti ortodoks në hyrje të gjykatës në qytetin greko-verior të Janinës. Ai nuk do që Athanasios Bitsos, kryeplaku i fshatit të vogël Papingo, të flasë me shtypin. Shumë banorë të Papingos kanë bërë këtë mëngjes 90 minuta rrugë për të ardhur në qendër të provincës, që të dëgjojnë çfarë thuhet në gjyqin për një rast, që ka ndarë fshatin më dysh. Palët po përballen me njëra-tjetrën në mënyrë të papajtueshme. Edhe këtu prifti i fshatit mundohet të ndalojë kontaktin midis banorëve të fshatit dhe mediave. Shihet qartë se kisha në Greqi ushtron një lloj pushteti edhe në jetën politike. Shkak për konfliktin është bërë një projekt i madh ndërtimi në portat e Papingons, ndërmarrë nga pronari anijeve, miliarderi Antonis Lemos. Disa banorë të fshatit janë të sigurt se leja e ndërtimit për kompleksin e madh të ndërtesave nuk duhej dhënë.

Papingo vlerësohet si një nga fshatrat më të bukura të Greqisë. Ka pak kohë që ky fshat është futur në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. Kjo gjë është e lidhur me detyrime të forta. Prekja e autenticitetit estetik të fshatit është e ndaluar. Përveç kësaj, fshati rrethohet nga një zonë e mbrojtur natyrore, që fillon direkt sa mbarojnë kufijtë e fshatit.

Për kundërshtarët e projektit të ndërtimit është e qartë se prona e madhe private që do të ndërtojë Antonis Lemosi ndodhet në zonën e mbrojtur, të paktën nëse orientohesh në hartat e tanishme. Prandaj ndërtimi i kompleksit të ndërtesave nuk është legal, ashtu siç nuk është legal ndërtimi i rrugëve që janë të nevojshme për të sjellë në vendin e ndërtimit materialet dhe makineritë. Lejet e nevojshme të ndërtimit, bazohen tek një hartë, ku kufijtë e fshatit duket se nuk janë të saktë.

Korrigjim apo zgjerim?
Gastronomi Spyros Tsoumanis i mirëpret ndryshimet në Papingo. Për të ruajtur karakterin tradicional të fshatit, jeta këtu prej kohësh nuk duhet të bazohet më vetëm tek bujqësia: “Ne kemi këtu nevojë për turizmin,” thotë ai. Me kalimin e viteve turizmi është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm, por infrastruktura e nevojshme nuk është përshtatur për turizmin. Së bashku me vëllanë e tij, Kostas ai ka në fshat një restorant që ecën mirë. Ata do të donin shumë që ta zmadhonin kuzhinën e restorantit. Por nuk mund ta bëjnë, sepse toka ku ata do të donin që të ndërtonin, është ngjitur me shtëpinë e tyre, por sipas planeve aktuale urbanistike, nuk është pjesë e fshatit, por e zonës së mbrojtur natyrore.

“Sipas planit shtëpia jonë nuk ndodhet brenda fshatit. Por ne nuk kemi ndërtuar ilegalisht, ne morëm lejen e ndërtimit,” shpjegon Tsoumanis. Kjo gjë ka ndodhur edhe me ndërtesa të tjera të fshatit dhe në përgjithësi është një problem i madh në Greqi. Shumë kufij të qendrave të banimit janë të pasaktë, për dhënien e lejeve të ndërtimit janë marrë vendime rast pas rastit. Tani shumë komuna të Greqisë ndodhen para detyrës së digjitalizimit të kufijve të vendeve të banimit dhe përcaktimit përfundimtar të tyre. Nga kjo gjë do të përfitonin shumë vetë, mes të cilëve edhe Spyros me të vëllanë. Ata që e mbështesin projektin e madh të ndërtimit flasin për “korrigjim të kufijve të fshatit”, jo për zgjerim. Kjo për arsye kryesisht ligjore, sepse për të bërë zgjerimin do të duhej të lëshohej dekret nga Presidentja e vendit, Katerina Sakellaropoulou.

Marrje e lejes së ndërtimit me mik?
Nikos Christodoulou, pronar i një kafeje në Papingo, është i bindur se vendosja e kufijve të rinj të fshatit nga autoritetet është një përpjekje për të bërë zgjerimin e territorit ku lejohen të bëhen ndërtime, duke hyrë jo nga dera por nga dritarja. “Kjo e gjitha është e lidhur me interesa personale. Ka prej atyre që flasin për përfitime personale, dhe prej atyre që nuk kanë përfitim nga kjo gjë,” thotë Christodoulou. Ai ankohet kryesisht për mungesë transparence nga ana e administratës së fshatit. “Kur merren vendime të tilla në një vendbanim kaq të vogël, duhet që i gjithë fshati të bëhet bashkë dhe të votojë.” Por kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë.

Në mes të pandemisë, kryetari i fshatit, Athanasios Bitsos mori vendim duke mos e njoftuar publikun. Vetëm kur ekskavatorët filluan gërmimet, u morr vesh për projektin. Rasti në Papingo është simbolik për një kompleks problemesh në Greqi, sjelljen jo transparente të autoriteteve, dyshimet për favorizimin e investitorëve që paguajnë shumë dhe mosfunksionim afatgjatë i administratës. Nikos Christodoulou mendon se ndërtimet nuk do të kishin filluar nëse fshati do të kishte marrë pjesë në marrjen e vendimit.

Konflikt me autoritetet
Kryetari i fshatit, Athanasios Bitsos nuk pranon të flasë për Deutsche Wellen. Po në telefon ai tha shkurt: “Këto organizata duan të na nxjerrin nga shtëpitë.” Me këto organizata, ai ka parasysh organizatat në mbrojtje të mjedisit, që kanë zhvilluar protesta kundër projektit të ndërtimit dhe vendosjes së re të kufijve. Autoritetet përgjegjëse në Janinë i konfirmuan me shkrim Deutsche Welles se lejet e nevojshme të ndërtimit janë dhënë. Kufijtë e fshatit janë vendosur nga një vendim i marrë zyrtarisht që në vitin 1990. Me fjalë të tjera: Për të dhënë lejen e ndërtimit nuk janë bërë ndryshime të kufijve të fshatit, gjë për të cilën do të duhej dekreti i presidentes.

Organizata ambientaliste shtetëtore, OFYPEKA e hedh poshtë këtë dhe në një letër drejtuar autoriteteve më 15.09.2023 bën të ditur se kantieri i ndërtimit ndodhet qartë jashtë kufijve të fshatit. Gjykata e Lartë e Greqisë është duke u marrë tashmë me këtë rast. Instanca më e lartë e vendit duhet të sqarojë tani, nëse ndërtimet po bëhen në përputhje me ligjin.

Probleme strukturore
Avokati Panagiotis Galanis është specializuar me jurisprudencën për mjedisin dhe urbanistikën, dy fusha që si në rastin e Papingos, përplasen rregullisht në planet e grekëve. Ai thotë për Deutsche Wellen se Greqia ka një problem strukturor, kur bëhet fjalë për projektet ilegale ose arbitrare të ndërtimit. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ligjet, por edhe me kulturën e pjesës më të madhe të popullsisë, kur mbrojtja e ambientit nuk ka vend. Në vend që të bëhet legalizimi i mëvonshëm i ndërtimeve arbitrare, siç ka ndodhur gjithnjë në të kaluarën, duhet bërë qartësimi i duhur i projekteve përkatëse të ndërtimit, para fillimit të realizimit të tyre.

“Që nga viti 2017, ligjet për ndërtimet arbitrare kontrollohen më shumë, por në praktikë kjo nuk ka treguar efektin e duhur deri tani, ose kërkon shumë kohë për këtë,” thotë Galanis. Përveç kësaj shumë njerëz nuk kanë besim tek shteti dhe institucionet. Jo rrallë ndodhin konflikte midis mbrojtjes së ambientit dhe interesave të investimeve të mëdha.

“Në shumicën e rasteve, sidomos në kohë krizash, Gjykata e Lartë merr vendime në favor që kanë tendencë të favorizojnë zhvillimin ekonomik,” thotë Galanis. Ai kërkon që juristët dhe inxhinierët e ndërtimit të specializohen më mirë, për të shmangur në të ardhmen konflikte të tilla./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mediat greke mbi vizitën e Erdogan në Tiranë

“Rama mos të harrojë se kush ia mbron hapësirën ajrore”