MENU
klinika

Zbardhet propozimi i Komisionit Evropian

“Hiqen vizat për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë”

17.11.2023 - 14:21

Komisioni Evropian, duke pasur parasysh heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, ka propozuar që vizat të hiqen edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Për t’u përfshirë edhe bartësit e pasaportave që i lëshon një zyre e veçantë në Beograd (zyra koordinuese) Komisioni ka propozuar ndryshimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë.

Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë. Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në atë kohë ishte vlerësuar se ekziston rreziku nga migrimi masiv, si dhe disa çështje të sigurisë.

Në propozimin e vet Komisioni Evropian argumenton se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza.

Komisioni e ka dhënë këtë propozim ndërsa tash vendimi duhet të merret nga Këshilli në bashkëpunim me Parlamentin Evropian. Komisioni Evropian në propozimin e vet ka theksuar se situata aktuale rreth bartësve të pasaportave të Serbisë që lëshon zyra koordinuese në Beograd, është diskutuar edhe me autoritetet e Serbisë dhe ato të Kosovës.

“Më 16 nëntor Komisioni Evropian ka miratuar propozimin që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mund të lëvizin pa viza në BE. Kjo propozohet edhe për bartësit e pasaportave që i lëshon Drejtoria koordinuese në Beograd. Tash vendimi është në duar të Këshillit dhe Parlamentit Evropian”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme dhe të drejtat e njeriut Kristijan Viegand.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit që vjen.

Ndërsa, vendimi që edhe bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë të lëvizin pa viza, do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në gazetën zyrtare të BE-së./REL

"Një hap i madh për infrastrukturën digjitale"

Shërbimet Starlink edhe në Kosovë, reagon Albin Kurti

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat