MENU
klinika

Koncesioni i sterilizimit

Ish-ministri Ilir Beqaj njihet sot me masën e sigurisë nga SPAK

20.11.2023 - 10:43

Ilir Beqaj do të merret në pyetje nga SPAK lidhur me hetimet për koncesionin e sterilizimit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të merret në pyetje lidhur me hetimet për koncesionin e sterilizimit. Seanca në Gjykatën e Posaçme do të mbahet mesditën e sotme (20 nëntor), ku ish-ministri po ashtu do të njihet edhe me masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim dalje jashtë shtetit’.

Seanca do të drejtohet nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Erjon Bani pas kërkesës që është bërë nga vetë prokuroria e Posaçme.

Masat e sigurisë për Beqjen u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor, bazuar në kërkesën e prokurorisë. Deri tani nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zv.ministrit Klodian Rrjepaj si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Ilir Rrapajt si biznesmen përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Emri i Beqajt mungoi fillimisht në listën e personave të akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘mashtrim me pasoja të rënda’, por në një vendim për masë sigurie, gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.

Ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që gjyqtari vlerësoi hetimet si të paplota në momentin e vendosjes së 9 masave të para për këtë çështje dhe orientoi Prokurorinë drejt hetimit edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

ilir beqaj koncesioni i sterilizimit