“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Këshilla për të shmangur çrregullimet në shëndetin mendor
Mjeku: Duke dhënë kujdesin e duhur në kohë, bëhet e mundur parandalimi i pjesës dërrmuese të çrregullimeve që prekin shëndetin mendor. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik vënë në dukje se faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor janë të shumtë, duke filluar nga ata gjenetikë, fiziologjikë, socialë, emocionalë dhe ekonomikë.
Kushtet e jetesës, problemet familjare, kushtet e punës, mungesa e shoqërisë dhe kohezionit social, stresi, mbingarkesa, etj ndikojnë shëndetin tonë mendor.
Për këtë arsye politikat dhe aktivitetet promovuese në nivel komunitar, lokal dhe nacional janë shumë të rëndësishme në promovimin e shëndetit mendor.
Në nivel individual secili prej nesh duhet të kujdeset për shëndetin e tij mendor duke zhvilluar një stil të shëndetshëm jetese. Kështu, ushqyerja e shëndetshme, ushtrimi i rregullt fizik, përkujdesja për të mos abuzuar me substancat, mbajtja e kontakteve shoqërore, përfshirja në aktivitete që na zbavisin, shprehja dhe diskutimi i problemeve dhe të kërkuarit ndihmë atëherë kur kemi nevojë janë sjellje që promovojnë shëndetin tonë mendor dhe parandalojnë shfaqjen e problemeve.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve mendore sot janë mjaft mirë të trajtueshme. Është përllogaritur se nëse ofrohet ndihma profesionale e përshtatshme, trajtohen në mënyrë të suksesshme 60 për qind e skizofrenive, 65 për qind e depresioneve madhore dhe 80 për qind e depresioneve bipolare.
Nga gjysma deri në dy të tretat e njerëzve me skizofreni arrijnë një përmirësim të konsiderueshëm ose shërim përtej 20 – 25 viteve.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.