MENU
klinika

Nga Lira Gjika

Këto fjali s’duhet t’ia thoni kurrë një çifti që sapo janë bërë prindër

11.11.2023 - 11:43

Nga Lira Gjika

Çiftit të ri të sapo bërë prindër i duhet shumë forcë për të përballuar këtë ndryshim të madh në jetën e tyre. Në pamje asgjë nuk ka ndryshur, por në fakt gjithça nuk është më si më para. Atyre u duhet kohë për të pranuar këtë jetë të re, këtë mënyrë të re. Kjo mënyrë e re, edhe pse e dëshiruar perj tyre, kërkon një impenjim për të mësuar të notosh në “detin” e prindërimit. Do të ishte mirë, që familjarët pranë çiftit të sapo bërë prindër të ishin mbështetës e inkurajues për ta.

Nëna duke qenë në hapat e para të mëmësisë, ajo ka shumë frikë dhe nuk i beson vetes. E sheh fëmijën e saj, e prek atë, e merr në krahë dhe e vendos në gji. Edhe pse fëmija nuk kap menjëherë gjirin e nënës, vendi më i sigurt për të janë krahët e nënës dhe gjiri i saj. Është froni origjinal i gjithkujt, nga ku do të zbulohet gjithçka nga vetja deri te gjithësia. Ky është pozicioni fizik, ku ndërtohet lidhja nënë-fëmijë. Ajo sapo ka marrë udhë, por nëna ende nuk ndihet e sigurt në gjërat që po ndërton si: ndjenjën e saj, zhdërvjelltësinë e veprimeve të saj dhe ajo çka është më kryesorja, të menduarit tashmë “tresh” (gruaja-nëna- burri i saj, babai i fëmijës dhe fëmija); edhe kur secili prej tyre ndodhet i vetëm, është tre.

Ndërhyrja e të tjerëve në këtë fazë të jetës të një nëne dhe babai të ri, ku ata sapo kanë filluar rrugën e prindërimit, duhet të jetë e kujdesëshme, mbështetëse, por jo përjashtuese. Shpesh nënat, vjehrrat, specialistët dhe të tjerë bëhen më shumë çinkurajues duke iu drejtuar prindërve të rinj se “Ju nuk dini” apo “Uaa nuk bëhet kështu” e tjera shprehje të tilla. Ata nuk duhet të jenë si “pykë” ndërmjet nënës, babait dhe fëmijës.

Këto ndërhyrje edhe pse bëhen në emër të së mirës, nuk janë të mira. Nëna e re dhe babai i ri kanë nevojë për mbështetje, për inkurajim dhe jo t’u tregohet se nuk dinë apo i bëjnë keq gjërat. Nëse vërtetë gjyshërit, hallat, tezet, dajat duan të ndihmojnë një nip apo mbesë që të rritet mirë dhe i shëndetshëm/e shëndetshme duhen të zgjedhin fjalët dhe veprimet.