MENU
klinika

Artur Ajazi

Kujt i shërben degjenerimi i ekraneve?

13.11.2023 - 14:03

Të gjithë pyesin, ku është AMA (Autoriteti MediaveAudiovizive), ose Autoriteti Mbikqyrës dhe Rregullator I Transmetimeve Audiovizive? Ka kohë që intelektualë, familjarë, shtresa të ndryshme të shoqerisë, pyesin dhe ndjehen të shqetësuara mbi ç’ka po ndodh në ekranet e disa televizioneve tona kombetare. Kujt i shërben degjenerimi, kujt i shërben gjuha e e patolerueshme dhe fjalori banal i përdorur në emisione, spektakle, madje dhe biseda në studio, sikur të ishin në rrugë dhe jo ambiente televizive.

Prindër, nëna, baballarë, vëllezër, motra, mësues, gjyshër dhe gjyshe, janë të indinjuar me banalitetet që dëgjojnë dhe skenat pornografike që pasqyrojnë degjenerimin e një shtrese të shoqërisë. Të rinj dhe të reja, që mbushin “emisionet rinore” që vetëm të tilla nuk janë, vajza dhe djem të llangosur duke dashur të imitojnë “idhujt” e tyre në botë, flasin me fjalorin banal duke mos kursyer as skena të turpshme, të denja për filma pornografikë. Televizionet në Shqipëri, mbeten jashtë çdo kontrolli nga AMA, jashtë çdo kontrolli nga strukturat e shtetit që merren me sanksionet ligjore ndaj çdo media që kalon kufirin etik të misionit të saj.

Çfarë bën Komisioni Parlamentar i Medias, çfarë bën AMA dhe gjithë ata zyrtarë që hiqen sikur “kanë ngarkesa të mëdha pune”, aq sa nuk shohin se si, në emisionet e disa televizioneve kombetare, degjenerimi dhe tendenca për të toleruar skena pornografike, mbetet alarm për të rinjtë ? Ku po shkon shoqeria shqiptare, ku janë OJF, ku janë shoqatat e Mbrojtjes së Femijëve, ku janë strukturat e shtetit kur në ekrane dëgjojmë dhe shikojmë banalitete rrugësh ? Si ka mundësi që hesht AMA, kur paguhet me taksat e shqiptareve për të bërë punë, dhe jo “qoka” me pronarët e televizioneve.

AMA, nuk duhet të jetë strukturë parazite, që merret vetëm me licensime radiosh dhe televizionesh, por edhe me kontrollin e rreptë ndaj çdo lajthitje apo shkelje ligjore. Me qasje pornografike, nuk mund të pretendosh se je “televizion i hapur” apo “media e lirë”. Ka ca kushte dhe detyrime ndaj asaj që ti e quan “pronë private”, ndaj asaj që dikush e quan “televizion privat”, dhe mendon se mund të bëjë çfarë të dojë, se mund të tolerojë (me dashje) skena porgografie dhe fjalorin e rrugës. Ku janë ata deputetë apo deputete, që mbajnë fjalime në Parlament për “rininë, të ardhmen e saj”, por që në fakt mbyllin veshin dhe syrin, kur shohin skena të turpshme në mes të ditës apo orët e mbrëmjeve në ekrane televizive.

Ç’edukimi i brezit të ri, mbetet misioni më pak i “kushtueshëm” për çdo media të papërgjegjshme, në rast se tolerohet nga strukturat kontrolluese të një shteti. “SOS”, është thirrja e çdo prindi dhe familjari sot, për të mos thelluar nesër degradimin e brezit të ri, përmes emisioneve paçavure, që kanë kurajon ti prezantojnë si “risi” disa televizione, që veç të tilla nuk u bënë kurrë. Petagogu i Fakultetit të Gazetarisë në New-Jersey Kent. S. ka thënë se “niveli i një media, tregon nivelin i drejtuesit apo themeluesit të saj…”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Artur Ajazi

Partia e tymit…