Gruaja që braktisi foshnjën në garazhin e një pallati në Yzberisht ka mësuar në sallën e gjyqit gjatë seancës së djeshme (12 nëntor) që foshnja e saj, të cilën e lindi në bodrumin e një pallati mëngjesin e 8 nëntorit kishte ndërruar jetë.
Duke marrë parasysh edhe gjendjen e saj shëndetësore, pasi ka dyshime që gruaja ka kaluar krizë pas lindjes, gjykata vendosi lirimin e saj nga paraburgimi për të hetuar në “arrest shtëpie” edhe pse prokuroria kërkoi arrest me burg.
30 vjeçarja po hetohet për veprën penale të “braktisjes së fëmijës me pasojë vdekjen”. Ajo tha në gjykatë se shtatzënia e saj ishte fryt i një lidhje me një person me emrin Klodi, i cili e braktisi dhe nuk donte ta dinte për gjendjen e saj.
“Fëmijën nuk e mbaja dot se jam beqare dhe nuk i tregoja dot familjes”, – tha ajo. Ishte ora 6 e mëngjesit kur e kapën dhimbjet dhe shkoi e vetme në bodrumin ku u gjend foshnja, të cilin pasi e lindi, e la dhe u largua.
Sipas referimit të prokurorisë, fëmija u gjet 3 orë më vonë nga banorët e pallatit, në lagjen ku ajo jetonte bashkë me nënën dhe vëllain. Prokuroria ka marrë në pyetje edhe ish-të dashurin e saj me emrin Klodi, por ai nuk pranoi të ishte babai i fëmijës.
Nena e saj kur u pyet tha se nuk e kuptoi shtatzëninë e vajzës, pasi kohët e fundit ajo vishte rroba të gjëra.