MENU
klinika

Përleshja e dhunshme për pronat tek Kepi i Rodonit

Lirohet nga qelia Mark Frroku! Çfarë deklaroi para hetuesve

03.11.2023 - 10:43

Mark Frroku dhe 7 personat e tjerë që u arrestuan për përleshjen e dhunshme në Kepin e Rodonit kanë lënë qelinë ditën e djeshme (2 Nëntor) .

Ish-deputeti Frroku që nuk i ka pranuar akuzat e policisë që iu referuan Prokurorisë dhe në dëshminë e tij ka treguar rrethanat në të cilat janë sulmuar nga banorët e zonës.

Biznesmeni bëri me dije në prokurori se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes pasi janë sulmuar në punë, për të cilën ka depozituar edhe kontratat që dispononte si i kontraktuar nga Kisha për ta ndërtuar murin rrethues të pronës-sherr.

Ajo pronë prej vitesh është kthyer në përplasje mes Kishës dhe disa banorëve të zonës, ndërkohë që të dy palët pretendojnë se kanë certifikatë pronësie për të njëjtën pronë. Autoritetet ligjzbatuese nuk kanë reaguar ende për të hedhur dritë mbi atë mbivendosje pronësie, teksa Kisha ekziston në atë vend prej shekujsh.

Mark Frroku dhe 7 personat e tjerë që u arrestuan të dielën, kanë mundur të dalin me detyrim paraqitjeje, ndërkohë që është lënë në arrest me burg në mungesë, Besnik Toma, mik i Frrokut, i cili dyshohet se qëlloi në ajër dhe është në kërkim prej ditës së ngjarjes.

VENDIMI I GJYKATËS SË DURRËSIT

Pas katër ditësh nga ngjarja, të akuzuarit për një mori veprash penale kanë dalë para Gjykatës së Durrësit. Pasi është dëgjuar prokurori Gëzim Veizi dhe avokatët e dy palëve në konflikt, gjyqtarja, Entela Shedula, ka caktuar “detyrim paraqitje” për të gjithë të ndaluarit. Avokati Sokol Dednikaj kërkoi pushimin e hetimeve, duke deklaruar se Frroku ka kontratë me Kishën Franceskane për të kryer rrethimin e tokës në Kepin e Rodonit si dhe nuk është përfshirë në konflikt fizik.

Kërkesa nuk është pranuar nga gjykata, ndaj ai do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale përkrahje e autorit të krimit për tu larguar nga vendngjarja. Kjo pasi, Besnik Toma, sipas policisë dhe prokurorisë njihet si shofer dhe truproja e Frrokut, ka qëlluar në ajër me armë gjatë konfliktit të së dielës. Gjykata caktoi masën “arrest me burg” në mungesë për Tomën, dhe kërkoi veçimin e çështjes gjatë gjykimit.

Në përfundim të seancës, Frroku dha një deklaratë të shkurtër: Ishim në vendin e punës konform gjithë ligjeve të shtetit! Kaq nuk kam çfarë them. Ata na sulmuan, ne ishim në vendin punës!’.

Prokurori i çështjes është shprehur se punimet për rrethimin e tokës po kryhen me leje të Bashkisë së Durrësit. Ai kërkoi hetim në gjendje të lirë edhe për rojën e Kishës, Pal Doda, dhe punëtorët Antonio dhe Martin Lazri. Ata akuzohen për vetëgjyqësi dhe plagosje të lehtë. Po kështu detyrim paraqitje u caktua edhe për Bajram Kaçulin, Erjon, Orgito dhe Ylli Reka, të cilët tentuan të pengojnë punimet për rrethimin e tokës në Kepin e Rodonit.

Palët u përfshinë në konflikt pronësie pasi sipërfaqen prej më shumë se 5 dynymësh në Kepin e Rodonit e pretendojnë si Kisha Françeskane ashtu dhe familja Kaçuli. Ndërsa Frroku ishte i pranishëm, si pronar i kompanisë që po kryen rrethimin, kontraktuar nga Kisha.