MENU
klinika

"Gjyqtarja Olldashi ka konflikt interesi"

Liroi Jamarbër Malltezin, SPAK rekurs vendimit në Gjykatën e Lartë

22.11.2023 - 13:32

SPAK është kundër ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për Jamarbër Malltezin…

Prokuroria e Posaçme (SPAK) do t’i drejtohet gjykatës së Lartë për të kërkuar rekurs të vendimit të Apelit të GJKKO që caktoi ‘arrest shtëpie’ për Jamarbër Malltezin.

Malltezi u arrestua për shkelje në dosjen e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’. Lajmi për të bërë rekurs është konfirmuar nga prokurorët e çështjes. SPAK kërkon qëndrimin në burg të Malltezit pasi nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë.

Një ditë më parë gjyqtarja Ilirjana Olldashi ndryshoi masën e sigurisë të Malltezit, nga arrest me burg në ‘arrest shtëpie’. Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.

Mësohet se gjyqtarja Iliriana Olldashi është në konflikt flagrant interesi në vendimin e marrë për të liruar nga burgu Jamarbër Malltezin.

Nga deklarata e saj e pasurisë zbulohet se Olldashi ka blerë apartament tek kullat e ndërtuara te ish-kompleksi Partizani nga kompania ‘Homeplan’ dhe ‘Kontakt’. Apartamenti është blerë në vitin 2015. Bëhët fjalë për 91.6 metra katror me çmimin në total 65 mijë euro, një vlerë të përllogaritur për m2, 712 euro, mjaft i lirë për tregun.

Sipas dokumenteve, apartamenti është shlyer me këste dhe kësti i fundit është dhënë nga gjyqtarja në konflikt interesi në vitin 2016. Pikërisht, kompania ‘Homeplan’ është në qendër të procesit dhe atje është aksioner Jamarbër Malltezi, person nën hetim që ndodhej në burg, dhe që me vendimin e djeshëm (21 nëntor) të Iliriana Olldashit, u la në ‘arrest shtëpie’.

Kujtojmë se ditën e djeshme Apeli la të lirë Jamarbër Malltezin dhe la në fuqi masën detyrim paraqitje për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gjyqtarja argumentoi për dhënien e vendimit se Malltezi nuk mund të prishë provat dhe nuk ka rrezik të largohet jashtë vendit.

Vendimi i Apelit u komunikua për gazetarët nga avokati i Berishës Genc Gjokutaj.

“Gjykata shpalli vendimin, duke miratuar Berishën, ndryshon pjesën për Maltezin, duke caktuar masën e sigurimit arrest shtëpie. Kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje, Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Ky është kallëzimi dhe regjistrimi i procedimit brenda një dite. E pamundur që për çështje te tilla, brenda një dite kalendarike pune të regjistrohet kallëzimi dhe procedim”, tha Gjokutaj.

Jamarbër Malltezi akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

SPAK thotë se ai ka përfituar 5.4 milionë Euro gjatë këtyre procedurave, i favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërsa ky i fundit akuzohet për korrupsion pasiv. Nën hetim për këtë rast është edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.