MENU
klinika

Grupmosha që vuan nga deficite të mëdha në arsim

Mësimi gjatë gjithë jetës, shqiptarët më dobët në rajon!

29.11.2023 - 10:48

Tani, kur teknologjia është duke ndryshuar qasjen ndaj profesioneve, nevojitet përditësim i njohurive në të gjitha fushat për t’u përshtatur me risitë.

Epoka digjitale në të cilën po jetojmë kërkon trajnim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës, por Shqipëria paraqitet dobët edhe në këtë tregues në krahasim me rajonin dhe vendet në tranzicion të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore.

Të dhënat krahasuese nga Fondacioni Europian i Trajnimeve (ETF) tregojnë se, në vitin 2022 vetëm 0.7% e popullsisë 25-64 vjeç kishte marrë pjesë në një trajtim që ka bëjë me përditësimin e njohurive.

Ky ishte niveli më i ulët eajonal, pasi në Serbi gati 6% e kësaj grupmoshe ndjek trajnime, në Malin e Zi 3,2%, në Maqedoninë e Veriut 2.5% dhe në Bosnjë 1.8%. Në Bashkimin Europian, më shumë se 11% e popullsisë 25-64 vjeç morën pjesë në trajnime në vitin 2022.

ETF, hallka e Komisionit Europian për të zhvilluar aftësitë e kapitalit human edhe në vendet kandidate, vlerëson të rëndësishëm mësimin gjatë gjithë jetës në kontekstin e zhvillimeve teknologjike dhe demografike.

Grupmosha 25-64 vjeç në vendin tonë vuan nga deficite të mëdha në arsim. Të dhënat nga ETF tregojnë se në vitin 2020 gati 53 % e popullsisë mbi 15 vjeç kishte vetëm arsim fillor. Niveli i ulët i arsimit në popullsinë në moshë pune nuk po bëhet shtysë për përmirësimin e aftësive në vijim.

Të dhënat të brendshme tregojnë se, shpenzimet që bizneset shqiptare paguajnë për rritjen profesionale të punonjësve janë të ulëta dhe për tepër po vijnë në ulje, në një moment që emigracioni i lartë dhe rënia e lindshmërisë po shterojnë më shpejtësi forcën e punës.

Një anketë e INSTAT referoi se, kostot për trajnimin profesional u ulën në vitin 2020 në raport me vitin 2016 nga 19-90% në varësi të aktiviteteve ekonomike.

Në vitin 2020, kostot vjetore më të larta për trajnimin e punonjësve i kishin biznesit në fushën e tregtisë, transportit dhe akomodimit me 1801 lekë në vit, nga 4048 lekë që ishin në vitin 2016 me ulje 55%.

Por rënia më e madhe e shpenzimeve për trajnim ishte për punonjësit në aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Në vitin 2020, kosto vjetore e trajnimit të një punonjësi në këto biznese ishte vetëm 734 lekë nga 7290 lekë që ishin në vitin 2016, me rënie 90%.

Ekonomia shqiptare funksionon ende në bazë të një modeli që shfrytëzon krahun e lirë të punës, por teksa lënda e parë (njerëzit) po shterojnë, bizneset shqiptare i llogarisin punonjësit si kosto, në vend që të forcojnë menaxhimin e burimeve njerëzore dhe të rrisin produktivitetin nëpërmjet tyre.

Bizneset pothuajse investojnë shumë pak fare te burimet njerëzore dhe nuk përdorin instrumente stimuluese si bonuse, shpërblime dhe trajnime për të rritur profesionalizimin./Monitor