MENU
klinika

“E di që s’ka tagër bllokues”

Minxhozi: Hallet e kreut të saj, opozita s’duhet t’i kishte bërë pjesë të axhendës

16.11.2023 - 21:40

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, theksoi se opozita, sado radikale të jetë, e ka kuptuar se duhet të marrë pjesë në diskutime të rëndësishme si ajo për buxhetin 2024. Ai shtoi se opozita e di shumë mirë që nuk ka tagër bllokues ndaj proceseve parlamentare.

“Së pari, duhet ta vëmë sjelljen e ashpër të opozitës në një kontekst më të gjerë sesa i politikës së partive. Konteksti është që ndodhemi në momentin kur po diskutohet ligji më i rëndësishëm i një viti, buxheti. Ndodhemi në një kontekst ku edhe opozitarët sado radikalë të jenë, e kuptojnë se është momenti për të folur për paratë publike dhe kjo përbën edhe çast dileme dhe hezitimi se para se t’i prishin mbledhjet, që po bëhen online, të kenë mundësi edhe të informohen dhe të kenë akses në ato letra.

Ka një moment që e kemi parë edhe në 2017 me cadrën, dhe pas dorëzimit të mandateve dhe pas cdo fushate elektorale dhe bojkoteve që ata kanë aplikuar. Pra është një moment çedimi gradual. Pra ti e godet sistemin fort, tregohesh radikal, por vjen një moment që do të qëndrosh brenda një lloj kuadrati sado imagjinar qoftë, brenda një kuadrati do qëndrosh. Ajo që ka ndodhur sot, dhe telefonata që ka marrë Berisha është ky kuadrati imagjinar, i cili quhet sistem, nga ku nuk mund të dalësh, sado që mund të premtosh të hysh nga dritaret, të dalësh nga kangjellat, do të qëndrosh brenda një kuadrati. Opozita nuk është e panatyrshme që ka këto lloje sjelljesh, që është fragmentare, që në një moment të caktuar nuk e di se çfarë të bëjë.

Në një moment të caktuar, dërgon dy veta dhe marrin pjesë në mbledhje pastaj ca të tjerë fillojnë dhe bërtasin se ata të dy s’i keni çuar ne. Kanë marrë pjesë edhe në zoom dhe në diskutime. Ndodhemi brenda dilemës së një opozite e cila numerikisht është koshiente që nuk mund t’i bllokojë proceset parlamentare, nuk ka tagër bllokues asgjë në pikëpamje të aprovimit të ligjeve por nga ana tjetër, ka edhe halle paralele të kreut të saj, të cilat kanë hyrë diagonal, dhe janë bërë pjesë e një axhende që nuk duhet të ishin pjesë. Dhe e kanë dëmtuar.”, tha ai.