MENU
klinika

"Do kandidoj për president"

Nacionalisti rus sfidon Putinin nga burgu

19.11.2023 - 19:44

Nacionalisti rus pro-luftës Igor Girkin, i cili është në paraburgim në pritje të gjyqit për nxitje të ekstremizmit, deklaroi sot se donte të kandidonte për president përballë presidentit aktual Vladimir Putin. Vetë Putin nuk e ka shpallur ende zyrtarisht kandidaturën, por Girkin beson se zgjedhjet e marsit do të jenë një mashtrim me fituesin që dihet që tani.

Girkin, i cili njihet edhe me pseudonimin Igor Strelkov, ka thënë vazhdimisht se Rusia do të përballet me revolucion, madje edhe luftë civile, nëse udhëheqja ushtarake e Vladimir Putin nuk e lufton luftën në Ukrainë në mënyrë më efektive, shkruan The Guardian.

Girkin, një ish-oficer i Shërbimit Federal të Sigurisë që ndihmoi Rusinë të aneksonte Krimenë në vitin 2014 dhe më pas të organizonte milicitë pro-ruse në Ukrainën lindore, tha para arrestimit të tij se ai dhe mbështetësit e tij po hynin në politikë.

“Unë e kuptoj shumë mirë se në situatën aktuale në Rusi, pjesëmarrja në fushatën presidenciale është si të ulesh në një tryezë për të luajtur me letra të mprehta”, tha Girkin në një letër të publikuar nga llogaria e tij në Telegram. Ai deklaroi se nuk mendonte se do të lejohej të merrte pjesë në zgjedhje, por shpresonte se përpjekja e tij për të bashkuar forcat patriotike do të prishte planin e Kremlinit për një zgjedhje të rreme në të cilat fituesi i vetëm dihet paraprakisht.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha në një intervistë se ai shpresonte se Putini do të kandidonte në zgjedhjet e marsit për një mandat tjetër si president, një lëvizje që do ta mbante Putinin në pushtet të paktën deri në vitin 2030.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN