MENU
klinika

"Sekuestro ndërtimeve të jashtëligjshme!"

“Privatizimi” brenda bazës ushtarake të Shëngjinit

28.11.2023 - 11:35

Prej tre vjetësh, çështja e privatizimit të bazës ushtarake të Shëngjinit ‘shëtit’ sa në Prokurorinë e Posaçme, sa në atë të Lezhës, ndërkohë që çështja e sekuestros së saj ka kaluar deri në Gjykatën e Lartë.

Një vendim i marrë nga kjo gjykatë ka lënë në fuqi konkretisht vendimin për sekuestron preventive, por ende nuk është bërë me dije se kush janë shkelësit e ligjit, të cilët madje cenojnë edhe sigurinë kombëtare. Kallëzuesi ishte një zyrtar i lartë i Ushtrisë, i cili në fakt denoncoi me emra dhe fakte duke bërë që dy baza mjaft të përfolura ushtarake, pas kallëzimit të tij të viheshin në sekuestro, po ashtu edhe prokuroritë respektive treguan se regjistrimi i këtyre pasurive në emër të individëve të ndryshëm ishte shkelje ligji, por deri më sot nuk është dërguar asnjë person në pranga, ndërkohë që SPAK, çështjen e Shëngjinit nuk e ka marrë përsipër për mungesë kompetencash.

SHQYRTIMI

Gjykata e Lartë la nën sekuestro preventive pasuritë që janë ndërtuar dhe që po ndërtohen brenda territorit të bazës ushtarake të Shëngjinit numër 2001. Vendimi u miratua për llogari të hetimeve që po kryhen për “shpërdorim detyre” nga disa zyrtarë, që nuk pranuan të regjistronin pronën si bazë ushtarake dhe nga ana tjetër për “ndotje të ujërave” nga subjektet private. Gjykata e Lartë citon parashtrimin e prokurorisë që thotë se, “kjo pasuri është brenda përhapjes dhe vendosjes së Forcave të Armatosura dhe se regjistrimi i kësaj pasurie në emër të personave privatë është në kundërshtim me ligjin dhe përbën cenim të sigurisë kombëtare”.

Gjykata e Lartë vë në dukje se kjo masë është e domosdoshme për të mos tjetërsuar pronat që sipas kolegjit janë de jure dhe de fakto në pronësi të Forcave të Armatosura. Çështja po hetohet prej dy vitesh mbasi Komanda e Forcave Detare mbas inventarit aplikoi për të regjistruar gjashtë prona. Por pavarësisht një Vendimi të Këshillit të Ministrave, nr. 515 dhe një korrespondence të gjatë institucionale, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive në Lezhë pajisi me dokumentacion të pjesshëm pronësie individë të ndryshëm brenda bazës ushtarake të Shëngjinit, për një sipërfaqe prej përmbi 62 mijë metra katrorë. Kjo ka dyshime të jetë kryer edhe në shkelje të dekretit për pronat e Forcave të Armatosura në çdo rast nevoje për mbrojtjen e sovranitetit dhe mos cenimit të sigurisë kombëtare – thotë Prokuroria!

Si komandant i Forcës Detare të asaj kohe, Artur Meçollari kërkoi hetime dhe ndaj shefit të shtabit të Forcave të Armatosura të asaj kohe, Bajram Begaj, sot President i Republikës dhe dy ushtarakëve të tjerë dhe çdo nëpunësi që ka përgjegjësi. Hetimet në fillim u kryen nga SPAK që shpalli mos kompetencën, pasi nuk gjeti shkelje nga subjektet që ka nën kompetencë dhe çështja iu faturua konkretisht Prokurorisë së Lezhës, organet kompetente aktualisht edhe për ta hetuar.

Në delegimin e çështjes, SPAK i thotë Prokurorisë së Lezhës se duhet të vlerësojë në lidhje me veprimet e kundraligjshme të punonjësve ZVRPP Lezhë apo të personave përfitues të këtyre pronave në kundërshtim me ligjin. Prokuroria lokale ndërkohë ka administruar lejet e ndërtimit që u janë dhënë subjekteve të ndryshëm nga Bashkia Lezhë. Ndërkohë që njëri nga juristët e bazës ushtarake, i identifikuar si Denis Madhi, i pyetur nga akuza deklaron se nuk e di arsyen se përse ASHK nuk i ka regjistruar pasuritë që janë nën administrim të Ministrisë së Mbrojtjes.

SEKUESTROJA, NJË VIT MË PARË

Objekti që po ndërtohej brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit është vënë në sekuestro preventive. Vendimi është marrë nga Gjykata Lezhës me kërkesës të prokurorisë në shkurtin e një viti më parë, e cila kishte nisur hetimet në lidhje me rastin, pas denoncimit të bërë nga Ministria e Mbrojtjes.

Procedimi penal nisi nga SPAK për veprën penale “Shpërdorim detyre”, por më pas çështja i kaloi Prokurorisë së Lezhës. Organi i akuzës ka kryer një sërë veprimesh, ku janë sekuestruar e po analizohen të gjithë praktikat e ndjekura nga institucionet për privatizimin e pronës dhe dhënien e lejes së ndërtimit brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit. Në hetim janë vënë disa ish-zyrtar lokalë, të cilët dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria bëri të ditur se ka dhe raste të tjera që është tjetërsuar prona shtetërore në këtë zonë dhe përmes dokumenteve të prodhuar nga institucionet është kthyer ne pronë private dhe kjo veprimtari është objekt hetimi. Objekti disakatësh brenda bazës detare ushtarake të Shëngjinit nisu të ndërtohet 1 vit me parë.

Skandali u denoncua nga ish-zv.komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, e më pas u vunë në lëvizje Ministria e Mbrojtës dhe organet e drejtësisë. Firma qe po ndërton objektin është e pajisur me certifikatë pronësie dhe leje ndërtimi të rregullt dhe madje ka paditur në gjykatë Ministrinë e Mbrojtjes për bllokim të punimeve dhe çështja është në shqyrtim. Objekti është ngritur katër kat, por pasi çështja u bë publike dhe ndërhynë dhe Ministria e Mbrojtës puna ka stopuar. Baza detare ushtarake e Shëngjinit mbahet nën monitorim të vazhdueshëm përgjatë 24 orëve nga forcat e ushtrisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vihet nën sekuestro baza detare e ushtrisë

VOA: SPAK heton privatizimin e Limionit në Sarandë


Probleme me energjinë elektrike

OSHEE lë në terr 400 familje në Gjirokastër

Rama ndan pamjet e atmosferës festive

Saranda ndez dritat e festave!

Bashkia, njoftim të rëndësishëm për qytetarët

Vlora në pritje të reshjeve të dendura

Sa do paguajnë qytetarët

Rritet çmimi i ujit për 12 bashki

“Travel off Path”: Shqipëria, parajsa mesdhetare

Vlora, qyteti bregdetar i mbushur me brigje mahnitëse