MENU
klinika

Çmimi ulet sërish

“Qetësohen” tregjet e naftës!

28.11.2023 - 13:57

Çmimet e naftës u ulën përsëri këtë fillim jave duke zbritur në 80 dollarë për fucci, ndërsa investitorët janë në pritje të takimit të OPEC që do të mbahet me 30 nëntor. Analistët shprehen se tregjet po stabilizohen po ashtu edhe prej zbutjes së tensioneve në Lindjen e Mesme, pas një armëpushimi në Gaza dhe shkëmbimit të pengjeve

Çmimet e naftës shënuan rënie të hënën pranë 80 dollarë për fuçi, ndërsa investitorët janë në pritje të takimit të OPEC që do të zhvillohet këtë javë për një marrëveshje që pritet të frenojë furnizimet për vitin 2024.

Kontratat feature të naftës së papërpunuar ranë lehtë me 42 cent, ose 0.5%, pas rritjes së lehtë që shënuan në fillim të javës së shkuar. Kjo nisur nga pritshmëritë se Arabia Saudite dhe Rusia mund të vazhdojnë më shkurtimet e furnizimit edhe për vitin që vjen ndërsa OPEC mund të diskutojë planin për të ulur më tej prodhimin e naftës.

Takimi i OPEC ishte parashikuar të zhvillohej më herët, por u shty më 30 nëntor, për shkak të mosmarrëveshjeve me prodhuesit afrikanë. Megjithatë, sipas analistëve stoqet e larta të naftës së papërpunuar në Shtetet e Bashkuara mund të ushtrojnë presion në rënien e mëtejshme të çmimeve në tregje.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po ashtu tha se pret një suficcit të lehtë në tregjet globale të naftës për vitin e ardhshëm, edhe nëse vendet e OPEC zgjasin shkurtimet e tyre të furnizimit.

Por, çmimet e naftës po ashtu janë stabilizuar ndjeshëm edhe pas zbutjes së tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme pas një armëpushimi në Gaza dhe shkëmbimit të pengjeve e të burgosurve.