Qeveria po përgatitet për të reformuar sërish skemën e pensioneve me qëllim rritjen e mbështetjes financiare për pensionistët dhe për të amortizuar diferencën e madhe që ekziston midis pensioneve të lidhura para vitit 2015 kur u ndërmor reforma e parë, dhe atyre e lidhura pas saj, të cilat janë më të larta. Gjatë diskutimeve në parim të projektbuxhetit për vitin 2024 në komisionin parlamentar të Ekonomisë, Ministri i Financave, Ervin Mete, theksoi se synohet që të ndryshohet formula e indeksimit për pensionistët. “Për pensionet, ka ardhur momenti për një ndërhyrje të dytë reformuese pas ndërhyrjes që u bë në vitin 2014-2015, për të cilën kemi nisur diskutimin me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që po bëjnë analiza paraprake. Është një çështje e mprehtë dhe do dojë një qasje e cila amortizon theksimin e diferencave. Një nga diskutimet është alokimi i indeksimit, pasi aktualisht indeksojmë totalin që marrin pensionistet dhe formati i indeksimit të çdo elementi të pensionit do dojë një rishikim. Për vitin 2024 janë alokuar 4 miliardë lekë projektuar për indeksimin dhe 3.6 miliardë lekë për bonusin e fundvitit i cili do jepet dhe këtë vit”, deklaroi ai.
Mbështetja Sociale
Më tej ministri Mete tha se, “projektbuxheti për vitin 2024, parashikon rritje me 33% për sektorin social dhe arsimor, rritje prej 4.9 miliardë lekë investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë me fokus mbështetjen sociale, ekonomike dhe shëndetësore”. Me fokus këtë shtyllë të rëndësishme, vijoi Mete, qeveria nëpërmjet Aktit Normativ për rishikimin e buxhetit 2023, rialokoi një sërë shpenzimesh ku një pjesë e konsiderueshme shkon tek Rindërtimi, që krahas investimeve për këtë fushë, ka efekte sociale që përfshijnë investime në vepra arsimore, shëndetësore dhe investime në infrastrukturë. Projektbuxheti 2024 rezulton me një rritje prej 33% të mbështetjes financiare për sektorin social, arsimor dhe shëndetësor, krahasuar me vitin 2023. Mete theksoi se, “projektbuxheti 2024 projekton rritje të financimit në të gjithë sektorët kryesorë, siç janë arsimi, mbrojtja, drejtësia ku buxheti është dyfishuar, ndërsa për mbrojtjen, për herë të parë buxheti është rritur në 2% të PBB-së, duke përmbushur kështu një detyrim si vend anëtar i NATO-s. Sa i përket arsimit buxheti 2024 ka një rritje të ndjeshme të pagave dhe rritje ndaj totalit të shpenzimeve për arsimin vendor që arrin në 78.8 miliardë lekë me rritje 9.8 milionë lekë ose afro 100 milionë lekë”. Sa i përket buxhetit vendor, Mete informoi se, shpenzimet për këtë nivel qeverisjeje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023.
Rishikimi i subvencioneve në bujqësi
Ndërkohë ministri Mete iu përgjigj shqetësimit të deputetëve lidhur me uljen e buxhetit për bujqësinë, ku thekoi se do duhet të rishikohet skema e mbështetjes për fermerët. “Tek bujqësia do të ketë nevojë për një analizë të formave dhe efektivitetit të mbështetjes që ne japim. Në aktin normativ dhamë një mbështetje shtesë prej 1.8 mld lekë, vijojnë këto skema dhe për vitin tjetër, por unë mendoj që forma e mbështetjes do duhet rishikuar në raport edhe me produktet, dhe cilësinë e produkteve, në raport me nxitjen e ekonomisë së shkallës, që ky sektor të marrë mbështetjen e nevojshme. Do bëjmë një ndërhyrje rishikuese të buxhetit në Qershor të vitit të ardhshëm dhe bujqësia do të jetë në vëmendje të rishikimit”, nënvizoi ministri Mete. Sipas deputetëve buxheti i akorduar për bujqësinë nuk do të mundësojë që ky sektor të kontribuojë me rritje në nivelin 2.4 për qind të PBB sikurse është planifikuar, duke qenë se është edhe një sektor i cili është i ndjeshëm nga inflacioni dhe trazirat e jashtme.