MENU
klinika

Tashmë është e konfirmuar

Samsung Galaxy S24 Ultra do të mbrohet nga materiali i titaniumit

06.11.2023 - 11:04

Një raport i siguruar nga TheElec konfirmon përdorimin e materialit të titaniumit të përfolur më parë në Galaxy S24 Ultra. Samsung është në fazën përfundimtare të sigurimit të porosive të saj për titan. Gjigandi korean i teknologjisë po punon me furnitorë kinezë, si dhe me një prodhues vendas.

Me sa duket, Samsung filloi të studionte përdorimin e këtij materiali rreth dy vjet më parë, por vendimi erdhi vetëm së fundmi, ndoshta për shkak të presionit nga Apple me serinë iPhone 15 Pro. Nëse pritja nga përdoruesit është e mirë, Samsung planifikon të përdorë titanin në më shumë pajisje.

Korniza e titanit ofron disa përfitime – është më e lehtë se çeliku dhe më e fortë se alumini, duke shërbyer si një bazë e mirë ndërmjet të dyjave. Megjithatë, për shkak të përçueshmërisë së ulët termike, është më e vështirë të pritet dhe të përpunohet në përgjithësi.

Kjo është arsyeja pse Samsung po kërkon një rendiment të lartë, pasi përndryshe do të kushtonte katër herë më shumë se kornizat aktuale të aluminit, të cilat kushtojnë rreth $20 për momentin. Megjithatë, ulja e peshës nuk do të jetë aq dramatike, pasi njerëz të njohur me këtë çështje thonë se Samsung tashmë po përdor një material alumini të lehtë. Porosia e Samsung për kornizat e titanit shkon në 15 milionë njësi, një numër i njejtë me telefonat Galaxy S24 Ultra që Samsung planifikon të prodhojë.

Disa informacione kanë zbuluar se Samsung do të përdorë dhe proçesorët Exynos 2400 në këtë gjeneratë, ndryshe nga gjenerata e kaluar që përdori vetëm Snapdragon. Shpesh herë Exynos është më pak efikas krahasuar me Snapdragon dhe kanë një performancë më të ulët, dhe shumë nga fansat e Samsung që jetojnë në rajonet ku do të përdoret Exynos nuk do të jenë të kënaqur.

Megjithatë, lajmi i mirë është se S24 Ultra nuk do të përdorë proçesorin Exynos, por do të vijë me Snapdragon 8 Gen 3. Seria S25 besohet se do të jetë e para që do të ofrojë komunikimin satelitor si një shërbim standard.