MENU
klinika

Ylli Pata

Sherri italian për socialistët e Edi Ramës

09.11.2023 - 20:49

Pakti i Edi Ramës me Giorgia Melonin ka 48 orë që po përflitet si lajmi kryesor në opinionin publik italian.

Kryeministri shqiptar, pas takimit në Pallatin Chigi me homologen e tij italiane, ka bërë xhiron e mediave kryesore në vendin fqinj.

Metropolis, është një Podcast mjaft i ndjekur dhe me autoritet në Itali. I drejtuar nga gazetari i njohur televiziv Geradro Greco, ai është një farë mënyre debati politik audioviziv i gazetës prestigjoze La Repubblica, e cila në itali konsiderohet si “Gazeta-Parti”. Kjo ngaqë përveçse një gazetë e ndjekur është edhe një tryezë e fortë e debatit politik, gjithmonë mbështetëse e qendrës së majtë në vend.

Prej disa vitesh La Repubblica ka kaluar si pronë e grupit më të madh industrialist italian, grupit FIAT, i cili në media ka edhe gazetën e njohur La Stampa, por edhe media të tjera, si Huffington Post Italia, Espresso, etj.

Në Podcastin e mbrëmshëm, Edi Rama hapi emisionin, por më pas folën emra të njohur të medias dhe mendimit publik në vendin fqinj, si drejtori i La Reppubblica-s, Maurizo Molinari, zv.drejtoresha e La Spampa-s Annalisa Cuzzocrea, lideri i fundit i Partisë Komuniste Italiane, i cili e reformoi në Partinë Demokratike të së Majtës, Achile Ocheto. Një politikan dhe shkrimtar kryesisht i eseistikës dhe publicistikës i dorës së parë në vend. Deputeti i Lega Nord, Flavio Tosi, ish-kryebashkiaku i Veronas, emri i të cilit është bërë viral në Shqipëri, pas një fjalimi në një italishte të rrumujshme të Sali Berishës në Parlamentin shqiptar para disa vitesh, por edhe të tjerë.

Në këtë debat, që e hapi Edi Rama, pati një diskutim mjaft të hapur e polemic në lidhje me paktin mes dy qeverive për qendrën e emigrantëve në Gjadër.

Molinari, i cili është një gazetar shumë i njohur dhe autor librash në Itali, u përqendrua, madje edhe e pyeti Edi Ramën në lidhje me dyshimet që BE kishte për këtë pakt. Annalisa Cuzzocrea, që konsiderohet një nga gazetaret më inteligjente italiane, ishte e mendimit se pakti Rama-Meloni nuk ka për tu zbatuar, ose nuk do të zbatohet totalisht. Ajo e konsideroi një dinakëri të Giorgia Melonit për të zhvendosur vëmendjen nga disa probleme që mazhoranca e saj ka, e për ta përdorur çështjen e emigrantëve si një Flamur elektoral.

Achile Ochetto, i cili edhe pse nuk është politikan aktiv është shpallur si përkrahës i hapur i lideres së opozitës së majtë në Itali, Ely Sclheyn, mbajti gjithashtu një qëndrim të ekuilibruar. Ai tha se ky pakt, më shumë se një plan i realizueshëm, është një lëmsh politik që do të mbesë pezull. Të tjerë kishin mendime ndryshe, edhe pse baza ishte se kemi të bëjmë me një lëvizje politike më shumë sesa një realitet që mund të zbatohet konkretisht.

Ndërkaq, sot patëm një zhvillim të ri. La Repubblica publikoi se Partia Demokratike Italiane, partia kryesore e të majtës në vend ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e Partisë Socialiste Shqiptare nga Partia Socialiste Europiane. E që kërkesën e ka çuar në samitin e PSE që mbahet sot e nesër në Malaga të Spanjës. Ku do të jenë dy nga kryeministrat socialist europianë: Olaf Schols e Pedro Sancez.

La Repubblica i referohej Giuseppe Provenzanos, shefit të marrëdhënieve me jashtë të PDI-së, i cili ishte i ashpër me Edi Ramës. Por gjatë ditës, si vetë Provenzano, por edhe zyrtarë të tjerë të Partisë Demokratike Italiane thanë se nuk kanë kërkuar përjashtimin e PSSH-së. Vetë Provenzano deklaroi se pakti i Ramës me Melonin është i gabuar por partia e tij nuk do të bëjë bodigardin e lokalit që nxjerr jashtë Partinë Socialiste të Shqipërisë. Ndërkaq, Andrea Orlando, një tjetër eksponent dhe ish-ministër i PD-së në Itali, hapi sërish një debat tjetër. “Kryeministri shqiptar ka përkrahur edhe Erdoganin në Turqi”, tha ai.

Nuk kaloi shumë dhe Rama ka hyrë në këtë debat me një postim të tijin.

”Në gazeta u përhap lajmi se miqtë e PD-së italiane donin të më përjashtonin nga Partia Socialiste Europiane dhe më pas me një farë vonese ata vetë e mohuan, por duke nënvizuar se marrëveshja që Shqipëria ka bërë dhe konsoliduar qeverisjen italiane të gjitha pikëpamjet.

Pikërisht të njëjtën gjë thonë PD-të e shumtë të së djathtës shqiptare që po luftojnë për të drejtën e të njëjtit emër pas ndarjeve së mëvonshme. Sigurisht që do të më mungojë aftësia për të parë këndvështrimet e shumta të të gjitha këtyre PD-ve, por në respekt të plotë të PD-së italiane dua të përsëris këndvështrimin tim të vetëm: Përpjekja për të ndihmuar Italinë nuk është as kjo situatë dhe as Evropa.

Një zgjidhje që mund të ndahet nga të gjithë nuk është ndoshta më e mira, por sigurisht është minimumi që Shqipëria duhet dhe mund të bëjë! Nëse kjo nuk është e majtë apo italiane, s’është e keqe, duket se nuk është as e djathta, as Shqipëria. Ndoshta është thjesht e drejtë”, shkruante Rama në X, që agjencia italiane Ansa e transmetoi menjëherë.

E këtu duket se kemi të bëjmë me një zhvillim politik më shumë se një realitet konkret. Vetë Rama nuk shkoi në Malaga, por në Francë me Macron, për të cilin nënkuptoi në lidhjen me Metropolis se i kishte kërkuar të njëjtën gjë që firmosi me Melonin, por nuk e kishte pranuar.

“Italia është speciale për ne”, tha Rama, duke pyetur retorikisht se edhe Italia e ka ndihmuar Shqipërinë në vite kur u rrëzua komunizmi me valën e refugjatëve, në vitin 1997, por edhe në tërmetin e 2019-s kur solli skuadrën më të madhe të zjarrfikësve.

Mattia Feltri, drejtori i Huffinton Post Italia-s, një nga gazetarët e njohur në vend, shkroi një editorial ku thoshte se ai do të donte një Edi Ramë në Pallati Chigi, editorial që u publikua edhe në numrin e printuar të La Stampa-s.

Deri tani, i gjithi duket një debat politik, ku Shqipëria ka hyrë pykë nëpërmjet kryeministrit të saj në një sherr në Itali. Ku natyrisht në një kënd ka qenë edhe Sali Berisha me kundërshtimet e tij mbi paktin në intervistat e dhëna për Corriere Della Sera e La Stampa. Por këtu më shumë e ka ndihmuar Edi Ramën, e në fakt Giorgia Melonin, pasi ajo duket si arkitektja e gjithë kësaj zallamahie. E cila ka shumë gjasa të mbetet në një debat politik më shumë. Pasi ka shumë mundësi që Bashkimi Europian të ndërhyjë e të krijojë mekanizma të rinj për emigracionin.

Po Shqipëria fiton apo humb këtu, pyeti Edi Ramën, Maurizio Molinari? Kryeministri shqiptar ju përgjigj se ne do të jemi në krah të Italisë, si ajo ka qenë në vite pro nesh. Pesha e Italisë, sidomos me Mario Draghin por edhe tani me Melonin, është pak më e rritur në BE. Mjafton të përmendet fakti se gjatë negociatave për Kosovën, përveç Schols edhe Macron, në bisedime ishte edhe kryeministrja italiane.

Ky partneritet, pra Itali-Shqipëri, të paktën në rangun e Bashkimit Europian, me një rritje e fuqisë së Romës zyrtare, duket se është një zhvillim i ri politik. i cili natyrisht erdhi pas rastit Beleri e ofensivës së Athinës për të sulmuar Shqipërinë në strukturat europiane. Që deri tani, duket se nuk e ka arritur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN